Anglezi i ekzekutuar, banesë të përjetshme në varrezat e Lezhës
• LEZHE – Përcillet për në banesën e fundit 21-vjeçari nga Londra, i ekzekutuar nga dy shokët e tij shqiptarë.Qindra banorë të Shëngjinit e Lezhës i janë bashkuar kortezhit të varrimit, duke ndarë dhimbjen me familjarët e Eduard Craythorne. Ai u gjet i pajetë mbrëmjen e 19 shkurtit, i hedhur në një pus pas ekzekutimit për qëllime grabitjeje, ngjarje për të cilën u arrestuan Mario Pjetrushi dhe Arlind Vukaj, banorë të Shëngjinit. Ceremonia ka nisur pikërisht në Shëngjin, ku prej muajsh jetonte dhe i riu me familjen e tij pas shpërnguljes nga Anglia. Familjarët e Craythorne, nëna e tij së bashku me tri motrat e kanë shëtitur trupin e pa jetë për herë të fundit në shëtitoren e qytetit të Shëngjinit, ndërsa qindra qytetarë kanë ndjekur kortezhin e përmotshëm, duke dënuar aktin kriminal që i preu në mes jetën të riut anglez. Banorët e Shëngjinit e kanë shoqëruar kortezhin edhe në qytetin e Lezhës, ku policia kishte bërë edhe bllokimin e rrugës në momentin që trupi i Craythorne po dërgohej për në varrezat e qytetit. Në këtë ceremoni mortore kanë marrë pjesë edhe prefekti Njazi Reçi, drejtori i policisë së Lezhës Mërgim Hoxha, deputeti i Shëngjinit, Aldo Bumçi, si dhe pushtetarë të tjerë vendorë. Në varrezat e qytetit ka qenë nëna e Eduardit, e cila ka folur pak fjalë, duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në përcjelljen e të birit. “Ju jam mirënjohëse për ngushëllimin, ndonëse fati tragjik e deshi, që në mënyrë kriminale djali im të ndërronte jetë në një moshë fare të re. Fakti që ju jeni të pranishëm këtu më bën të jem akoma më e fortë dhe e bindur që ju dhe ne e dënojmë krimin e ndodhur ndaj Eduardit”. Mes numrit të madh të personave që përcollën viktimën, ka marrë pjesë dhe i ati i njërit prej autorëve të akuzuar, Mario Pjetrushi, i cili nuk u pranua në shtëpi nga e ëma dhe motrat e Eduardit, kur u hapën dyert e mortit. Dy të rinjtë, të cilët tashmë ndodhen në burg pa afat, ishin shokë të të riut anglez që nga momenti kur ai bashkë me familjen u shpërngul nga Londra për të jetuar në Shëngjin. Por, sipas policisë qëllimi për grabitjen e parave që kishte në bankë 21-vjeçari i huaj ka çuar që Pjetrushi e Vukaj të planifikojnë vrasjen e tij. Familja angleze vendosi prehjen e trupit të Eduardit në Lezhë, ndërsa do të vazhdojnë të jetojnë në Shëngjin. r.n