“Gruaja ime qëlloi mbi fqinjin”
• “Unë isha pa ndjenja kur gruaja ka qëlluar mbi fqinjin”.SHKODER/ RITVAN DIBRA Lazër Rrethi, i arrestuar me akuzën e vrasjes së Nikoll Malocajt në fshatin Trush ka shmangur nga vetja autorësinë, duke ia hedhur së shoqes, tashmë e vdekur.Krimi i dyfishtë, i shënuar mbrëmjen e së premtes është mohuar dhe nga pala tjetër, e akuzuar për vrasjen e Luçe Rrethit. Kjo, pasi babë e bir, Gjergj e Ardian Malocaj kanë deklaruar se nuk ndodheshin fare në fshat në momentin kur ndodhën njëra pas tjetrës vrasjet e dy fqinjëve. Me këto mohime janë përcjellë dje dy seancat për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj të akuzuarve në Gjykatën e Shkodrës, por përfundimi ka qenë “burg pa afat” për të tre. Të pandehurit janë dërguar në gjykatë nën forca të rrepta sigurie, të ndarë në furgonë të ndryshëm të policisë, me qëllim shmangien e ndonjë incidenti gjatë përballjes së tyre. Seancat janë zhvilluar të ndara nga njëra-tjetra, ndërsa asnjë prej familjarëve të tyre nuk ka qenë i pranishëm jo vetëm në sallë, por as jashtë saj. Trupi gjykues ka qenë i njëjtë për të dy rastet, për shkak të lidhjes së dy vrasjeve dhe autorëve të tyre. Masa e parë është zhvilluar ndaj Gjergj dhe Ardian Malocaj, babë e bir të akuzuar për vrasjen e nënës së 3 fëmijëve, Luçe Rrethit në shenjë hakmarrje. Gjykatësja Anita Mici ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy të akuzuarit, me akuzën e “vrasjes me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “armëmbajtje pa leje”. Dy të pandehurit kanë deklaruar se nuk kanë gisht me vrasjen e komshies, njëkohësisht e shoqja e të akuzuarit për ekzekutimin e njeriut të tyre, Nikoll Malocaj, duke pohuar se ndodheshin jashtë fshatit. Por, deri në provimin e kësaj alibie, gjykata ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për t’i izoluar pa afat. Pak minuta më vonë, në sallën e gjyqit ka mbërritur Lazër Rrethi. As ai nuk ka pranuar që të jetë autor i vrasjes së fqinjit Nikoll Malocaj, duke ia vënë fajin së shoqes. Sipas tij, para krimit bashkë me gruan kanë pasur një grindje me viktimën, me të cilin u konfrontuan fizikisht. “Në momentin e vrasjes së Nikollës unë kam qenë pa ndjenja, për shkak të goditjes që kisha marrë në kokë prej tij”, ka deklaruar Rrethi. Avokati i këtij të fundit, pasi e ka quajtur të ligjshëm arrestimin e klientit të tij ka kërkuar gjykimin vetëm për “armëmbajtje pa leje”. Sipas gjyqtares, Lazër Rrethi do të qëndrojë në burg, pasi hetimet e mëvonshme do të sqarojnë rrethanat dhe pozicionin e secilit prej të arrestuarve.Largohen fëmijët e çiftit RrethiEkzekutimi i nënës dhe arrestimi për vrasje i babait i la të vetëm tre fëmijët e çiftit Rrethi. Për të shmangur përplasjen me familjen e viktimës tjetër, e cila jeton vetëm 100 metra larg, policia ka bërë shpërnguljen e fëmijëve, më i madhi 19 dhe i vogli 9 vjeç nga fshati Trush drejt Velipojës, ku jetojnë të afërmit e tyre. Sipas burimeve të policisë së Shkodrës, prej mbrëmjes së të premtes, kur ndodhi vrasja e Nikoll Malocajt e menjëherë pas tij u vra për gjakmarrje gruaja e autorit, është vendosur një patrullë e grupit të gatshëm. Ajo do të qëndrojë dhe për disa ditë në këtë zonë, ndonëse nga familja Rrethi nuk ka mbetur më asnjë person në fshatin 18 km larg Shkodrës. Familja e Lazër e Luçe Rrethit nuk ka të afërm të tjerë në Trush, ndërsa nga fisi Malocaj jetojnë aty disa familje.