E Diel, 1 Nëntor 2026

Koseni humb gjyqin për gradat me ministrinë

• TIRANE – Edmond Koseni, ish-komisari i hekurt i Elbasanit humb të parin gjyq me Ministrinë e Brendshme.Pasi ka fituar të drejtën për t’u rikthyer në vendin e drejtorit të policisë së Elbasanit dhe të dëmshpërblehej për rrogën deri në momentin që do kthehej në detyrë, Koseni humbi dje procesin për rikthimin e gradës, e cila i ishte hequr pas marrjes së tij në përgjegjësi penale në dhjetor të vitit 2001 për shkak të akuzës së ushtrimit të dhunës ndaj qytetarit Naim Pulaku, në dhjetor të vitit 2001. Dy vjet më pas Koseni u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Elbasanit, që dënoi për këtë vepër kunatin e tij Xhaferr Elezi, i cili aktualisht ndodhet në qeli duke vuajtur dënimin. Pas pafajësisë në të gjitha shkallët e gjykimit Koseni nisi proceset civile, fillimisht me Ministrinë e Brendshme për pezullimin në detyrë dhe rikthimin në radhët e policisë, që e fitoi. Më pas ai paditi me të njëjtin objekt Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe pas kësaj Kryeministrinë, gjyqe për të cilat gjithashtu gjykata vendosi në favor të tij. Së fundmi Koseni iu drejtua sërish gjykatës së kryeqytetit dhe kërkoi rikthimin e gradave, ku dje gjyqtarja e çështjes vendosi jo në favor të tij. Gjykata pranoi dje vetëm kërkesën e Kosenit për pagën kalimtare, deri në momentin e rikthimit në polici, si dhe i akordoi dy paga shtesë si dëmshpërblim për largimin e menjëhershëm nga detyra. fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›