Tiranë, 74-vjeçari plagos me armë komshiun pas sherrit për pronësinë
• TIRANE - I moshuari 74-vjeçar qëllon me pushkë komshiun e tij në fshatin Ibë të Bërzhitës pas konfliktit të pronësisë.Policia e Tiranës ndaloi autorin e krimit, por më pas e la të lirë për shkak të moshës dhe faktit se ai vuante nga disa sëmundje. Ngjarja ndodhi të dielën në mesditë në fshatin Ibë të komunës së Bërzhitës, periferi e Tiranës, Shyqyri Cenaliu, 52 vjeç është goditur me armë zjarri nga fqinji tij, Ramazan Tuzi. I dëmtuari është dërguar në spital dhe pas mjekimit të marrë sipas policisë ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa plaga që ka marrë nuk është shqetësuese. Shkak për konfliktin mes palëve sipas hetimeve, është bërë një mosmarrëveshje për shkak të një sipërfaqeje trualli që ndodhej pranë banesave të tyre. Pas debateve të vazhdueshme për shkak të pretendimeve të pronësisë, paraditen e së dielës, Shyqyri Cenaliu dyshohet se ka fyer Ramazan Tuzin. Pas këtij veprimi, sipas policisë, 74-vjeçari Tuzi është kthyer në banesë, ka marrë pushkën dhe pasi e ka mbushur ka qëlluar disa herë në drejtim të komshiut, me të cilin ndodhej në konflikt. Nga të shtënat me armë zjarri, ka mbetur i plagosur lehtë në shpatull, Shyqyri Cenaliu. Ky i fundit i ka telefonuar policisë, e cila është nisur për në drejtim të adresës së dhënë nga i dëmtuari. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar autorin e plagosjes. I arrestuari ka pranuar se kishte qëlluar fqinjin e tij pas një konflikti për motive pronësie. Blutë kanë sekuestruar në banesën e autorit të krimit armën e krimit, si dhe rreth 350 fishekë. d.b