E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau burrin, Aishe Pojana kërkon falje nga familja

• Mëshirë dhe falje për të afërmit e bashkëshortit. Këto ishin fjalët e fundit para vendimit të gjykatës, të 56-vjeçares Aishe Pojana, gruas nga Baldushku i Tiranës e burgosur për vrasjen e bashkëshortit.Fatos MahmutajPak minuta para se gjykata të tërhiqej për vendim Pojana tha në fjalën e saj të fundit se, shpresonte te mëshira e gjykatës dhe se u kërkonte ndjesë vëllezërve dhe motrave të bashkëshortit të saj Hasan Pojana. Për më tepër se 30 minuta Pojana ritregoi para gjykatës dhunën që kishte ushtruar ndaj saj në mënyrë sistematike bashkëshorti, ndërkohë edhe në momentin e krimit viktima kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe kishte nisur të qëllonte gruan. Kjo e ndodhur përballë dhunës dhe presionit të tij ka rrëmbyer një dru dhe me të e ka qëlluar në kokë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kësaj avokatja e Pojanës, Vjollca Pustina, gjatë fjalës së mbrojtjes i kërkoi gjykatës rikualifikimin e krimit nga “vrasje me dashje” në “vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”. Sipas avokates, kjo vepër penale ishte vërtetë e tillë, ndërkohë gjykata në llojin dhe masën e dënimit duhet të kishte parasysh edhe rrethanat lehtësuese, si dhe faktin që e pandehura nuk paraqiste rrezikshmëri shoqërore. Ndërkohë organi i akuzës dy javë më parë kishte kërkuar 12 vjet burg për Pojanën. Në vendimin e djeshëm me 11 vjet burg, gjykata pohoi se, ngjarja e rëndë në familjen Pojana kishte ndodhur mbrëmjen e 11 marsit të vitit të kaluar, ndërsa krimi është zbuluar plot 40 ditë më vonë pas punës operative të policisë. Trupi gjykues argumentoi dje se mbrëmjen e 11 marsit, e pandehura Pojana ka përfituar nga fakti që bashkëshorti kishte humbur vëmendjen për ta qëlluar disa herë me dru në kokë. Pak minuta pasi viktima ka dhënë shpirt e ndihmuar nga e bija 11 vjeçe, ajo e ka ngarkuar kufomën e burrit të vrarë në një gomar, me të cilin e ka transportuar rreth 200 metër nga banesa, derisa ka mbërritur në një përrua në kufi të arës së familjes. Aty për gjithë natën kishte hapur një gropë brenda së cilës ka futur kufomën e viktimës Hasan Pojana, dhe pastaj është larguar për në banesë duke kaluar në heshtje ditët pas krimit, ndërsa nëpër fshat kishte hapur fjalë se bashkëshorti ishte larguar në drejtim të Peqinit te disa të afërm të tij dhe bashkë me ta do shkonte emigrant në Greqi. Gjykata pohoi se dijeni për krimin, veç të pandehurës kishte vetëm vajza e tyre 11-vjeçare, e cila nuk mund të merrej në përgjegjësi penale për shkak të moshës së mitur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›