E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli, 90 minutat finale për të shpallur kampionen

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër - Sot Premier Liga Angleze do të përcaktojë skuadrën kampione për këtë sezon, një betejë që sheh përballë Çelsin dhe Mançester Junajtid. Blutë e Londrës ndodhen 1 pikë para “Djajve të Kuq” dhe u mjafton të mundin në shtëpi Uiganin për të fituar titullin e parë kampion që prej vitit 2006. Kur mbeten edhe për 90 minuta për tu luajtur, gjithçka është në dorën e Çelsit, një skuadër që e ka dominuar kampionatin. “Nuk kam probleme të mëdha për të zgjidhur në prag të fundit të kampionatit”, - deklaroi trajneri Karlo Ançeloti. “Gjatë këtij viti kemi humbur disa ndeshje dhe patëm një moment të vështirë, pasi u mundëm nga Mançester Siti dhe Interi, por reaguam shumë shpejt”, shtoi ai. Ançeloti deklaroi gjithashtu se skandalet seksuale ku u përfshinë kapiteni i skuadrës Xhon Terri dhe mbrojtësi Eshli Kol, nuk patën ndikim mbi rezultatet e skuadrës. “Këto nuk ishin aspak problem për mua, ishin thjesht çështje personale. Ata arritën ti mbajnë këto probleme jashtë skuadrës, kështu që nuk ishte aspak problem”, - u shpreh trajneri italian. Ançeloti deklaroi gjithashtu se pavarësisht humbjes së pësuar me Uiganin në shtator, këtë herë do të jetë një histori tjetër. Ai u ka kërkuar futbollistëve që të luajnë si ndaj Stokes, kur Çelsi fitoi 7-0. Italiani e quajti fantastike atmosferën në radhët e tifozerisë, ndërsa u shpreh se me këto rezultate Roman Abramoviç duhet të jetë i kënaqur. Ndërkohë, trajneri i Mançester Junajtid, Aleks Ferguson, ka pranuar përpara takimit me Stoken se është shumë e vështirë që Çelsi ta humbasë titullin në ndeshjen e fundit. Por, sipas tij zhgënjimi më i madh për Djajtë e Kuq është eliminimi nga Champions League. “Jam i zhgënjyer që nuk kemi fituar trofe të tjerë veç Kupës së Ligës, - tha Ferguson. – Por, zhgënjimi më i madh është Liga e Kampioneve. Është një fatkeqësi e madhe që ne nuk jemi në finale kundër Interit, pasi kishim një shans të madh. Eliminimi nga Bajerni ndikoi edhe në humbjen e ndeshjes së radhës kundër Çelsit. Ishte një javë shumë e keqe për ne”, deklaroi skocezi. Ferguson u shpreh gjithashtu se fakti që Uejn Runi mungoi dhe nuk ishte në formë, ndikoi jo pak në atë javë të tmerrshme. Më tej, trajneri i Junajtid përgëzoi Totenhemin për kualifikimin në Champions League, duke thënë se për katërshen e madhe Mançester, Çelsi, Arsenal dhe Liverpul, nuk është më e thjeshtë të triumfojnë.

Ky lajm është publikuar: 09/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›