E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli, Ançeloti dhe Mançini kalojnë rrezikun

ANGLI- Ishin të dy në rrezik, sidomos trajneri i Çelsit. Por, pas ndeshjeve të ditës së shtunë, Karlo Ançeloti dhe Roberto Mançini duket se kanë rifituar pozitat e tyre përballë pronarëve miliardierë. Për Ançelotin, fitorja 2-0 me Blekbërnin ishte ajo e rilindjes, ndërsa për ish-trajnerin e Interit është një moment i lumtur, pasi Siti ndodhet në majë të klasifikimit.

“Paraqitja jonë ishte e mirë, pasi larguam një moment të rrezikshëm, - deklaroi Ançeloti. – Mënyra jonë e të luajturit ishte pozitive dhe për këtë duhet të jemi të kënaqur, por na duhet të mendojmë për ndeshjen e radhës, sepse në transfertë do të jetë më e vështirë. Takimi i javës së ardhshme do të na thotë nëse momenti i keq ka kaluar me të vërtetë”.

Ndërkohë, Roberto Mançini është duke kaluar një moment të lumtur me Mançester Sitin e tij, që ka tashmë 45 pikë.

“Jam i kënaqur për vendin e parë të përkohshëm, por, do të preferoja që e shtuna të ishte dita e fundit e sezonit dhe ne të ishim të parët. Sulmi? E dija që Xheko do të tregonte se është një kampion i madh, ndërsa Tevez bëri dy gola fantastikë”, tha Mançini. Po në lidhje me Xhekon, e përjavshmja “News of the World” ka zbuluar se boshnjaku do të marrë 4.2 milionë stërlina bonus nëse Mançester Siti arrin në çerekfinale të Ligës së Kampioneve sezonin e ardhshëm, ndërkohë që Mançini do të përfitojë edhe 2.5 milionë stërlina nëse fiton titullin.

(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›