E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barca përforcon kreun

Blaugranët kanë mposhtur Malagan me rezultat 4-1, për të shënuar fitore mjaft të rëndësishme pas barazimit të Real Madridit kundër Almerias.

Serinë e golave e filloi Andres Iniesta (8’), i cili u asistua nga Daniel Alves, ndërsa dhjetë minuta më vonë David Villa dyfishoi epërsinë (18’), kësaj radhe asisti ishte i Lionel Messi.

Pedro Rodriguez vendosi rezultatin përfundimtar të pjesës së parë (36’), ndërsa përfitoi pas një kombinimi mes Leo Messit dhe Andres Iniestas.

Malaga ngushtoi epërsinë me anët Dudas (68’), i cili shënoi nga gjuajtja e lirë, mirëpo ky rezultoi të ishte goli i nderit për mysafirët.

Me golin e 14 sezonal, David Villa shënoi për të dytën herë në këtë ndeshje (74’) dhe vendosi rezultatin përfundimtar të takimit prej 4-1 në favor të vendasve.

Kjo fitore e ngrit Barcelonën në kuotën e 52 pikëve, dhe tani ka katër pikë më shumë se rivali për titull, Real Madrid.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›