E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli, përfundon me sukses operacioni i binjakëve siamezë

Autori i Lajmit: Redaksia

Londër – Binjakët siamezë, të cilët iu nënshtruan një operacioni shumtë të vështirë ndarjeje, e kaluan me sukses sprovën e mbijetesës dhe tashmë janë shëndoshë e mirë. Lajmi jepet nga prindërit që thonë se operacioni u krye me sukses. “Hassan dhe Hussein Benhaffaf janë nën kujdesin e mjekëve pas operacionit 14 orësh në spitalin Great Ormond Street Hospital në Londër. Por mjekët thonë se tri ditët e ardhshme do të jenë vendimtare për të përcaktuar suksesin e operacionit. Nëna e tyre, Angie Benhaffaf, tha e tensionuar pak orë pasi kishte nisur operacioni, se atyre u duhej një mrekulli që të mbijetonin. Ajo shpresonte që dy djemtë e saj, Hassan dhe Hussein, të arrinin ti shkonin deri në fund të betejës së tyre me jetën. Vëllezërit u lindën të bashkuar dhjetorin e shkuar në spitalin e Korkut Lindor në Irlandë. Ndërhyrja ishte shumë e vështirë dhe për këtë arsye pritej të zgjaste rreth 20 orë. Operacioni për të ndarë binjakët katër muajsh u drejtua nga një kirurg fëmijësh nga qyteti i Korkut, Eduard Kiely. Në ndërhyrje morën pjesë një ekip prej 20 mjekësh, përfshirë kirurgë fëmijësh, anestezistë dhe kirurgë plastikë që punuan me sistem rotacioni. Një grup ekspertësh kardiologë ishin gjithashtu të pranishëm dhe mbikëqyrën procedurën. Djemtë ishin të ngjitur në gjoks dhe, fatmirësisht, nuk kishin asnjë organ mes trupit. Familja Benhaffaf pritet të qëndrojë dhe për pak muaj të tjerë në kryeqytetin britanik, derisa fëmijët të mund të rikuperohen plotësisht pas operacionit. Në një deklaratë zyrtare drejtuar spitalit, zonja dhe zoti Benhaffaf falënderuan të gjithë ata që janë kujdesur për shëndetin e fëmijëve të tyre, por dhe qytetarët që me urimet dhe mbështetjen e tyre i kanë qëndruar afër familjes. Në Irlandë ndërkohë është ngritur dhe një fond i veçantë për të ndihmuar prindërit e fëmijëve që të mbulojnë kostot e kurimit.

Ky lajm është publikuar: 12/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›