E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIZITA E FRATINIT “Në vjeshtë pa viza, në dhjetor statusin”

Autori i Lajmit: Redaksia

Liberalizim vizash brenda vjeshtës drejt zonës shengen dhe status kandidat brenda vitit. Ky ka qenë premtimi i ministrit të jashtëm italian Franko Fratini i cili nga konferenca me homologun Meta njoftoi lobimin e madh italian për të arritur këto dy objektiva.
“Italia do te punojë fort në Europë që përgjigjia pozitive për statusin te merret brenda ketij viti. Nje perspektive me afate kohore me te shkurtra eshte ajo qe i perket liberalizimit te vizave. Në konferencën e përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, Fratini shpjegoi të gjithë skenarin e mundshëm, që do tu garantojë shqiptarëve lëvizjen pa viza në vjeshtën e këtij viti. Kryediplomati italian e lidhi këtë besim, pikërisht me kriteret e përmbushura nga pala shqiptare të udherrëfyesit për vizat.
Vizat
Fratini deklaroi se "Komisioni Europian ka ekzaminuar progresin e shënuar nga Shqipëria në këtë drejtim dhe mendoj se përgjegjësit e këtij procesi në komision, do të verifikojnë se këto detyrime janë përmbushur tashmë. Objektivi ynë politik është përfitimi i propozimit për Shqipërinë dhe Bosnjen, përpara fundit të muajit maj dhe si etapë e dytë, njoftimi i liberalizimit të vizave për të dy vendet në Samitin e Sarajevës, që mbahet në 2 qershor, kështu Këshilli i Ministrave të BE, mund të vendoste formalisht përpara fillimit të pushimeve të verës, gjë që do të mundësonte udhëtimin e parë pa vizë, për qytetarët e Shqipërisë dhe Bosnjes, në vjeshtën e këtij viti."
Në deklarimin e tij, Ministri i Jashtëm shqiptar përforcoi faktin e përmbushjes së kritereve nga Shqipëria shoqëruar dhe me mirënjohjen për homologun Fratini, të cilin Meta e cilësoi, arkitektin e projektit për një Ballkan pa viza në Europë.
Meta dhe Fratini u ndalën dhe në situatën politike në vend. Ministri i Jashtëm shqiptar tha se mazhoranca mbetet e hapur për dialog konstruktiv dhe zgjidhje kushtetutese të ngërçit politik.
Ministri italian, mbështeti logjikën kushtetuese ku fokusoi argumentin e tij, ministri Meta dhe risolli dhe një herë në vëmendje raportin e OSBE –ODHIR për zgjedhjet.
"Zgjedhjet u monitoruan nga OSBE që raportoi se çdo gjë u zhvillua në përputhje me ligjin elektoral në fuqi. Forcat politike duhet të kuptojnë se vendi është në hapa vendimtare për integrim dhe kjo është një përgjegjësi e madhe. Sistemi politik duhet ti japë përgjigje Europës, ja pse të gjitha forcat politike shqiptare duhet të punojnë sëbashku në parlament, për Europën."- deklaroi Fratini.
Për statusin e vendit kandidat
"Shqipëria ka bërë progres të madh në këtë drejtim. Italia do të punojë fort që procedura për përfitimin e statusit të vendit kandidat në BE, të mbyllet brenda fundit të këtij viti",-vjerësoi Fratini. Meta dhe Fratini diskutuan mjaft fusha të bashkëpunimit reciprok, inkurajimin e Korridorit të Tetë, për të cilin pritet shpejt një takimin i Ministrave të Transportit në Tiranë. Konferenca për shtyp e dy homologëve u karakterizua nga nota të forta pozitive vlerësimi reciprok, që rrjedh sikundër u theksua, nga marrëdhëniet e shkëlqyera jo vetëm mes dy qeverive, por dhe popujve tanë.
“Sigurova ministrin se unë e kam këtë proces totalish të bazuar në meritë sepse ky është interesi i Shqiperise dhe qytetareve shqiptare te cilet sot disponojne dokumente indentiteti mjaft te sigurta dhe me te avancuara” tha Berisha.
Por sipas ministrit të jashtëm italian kriza politike nuk duhet të përcillet në Bashkimin Europian dhe në opinionin e tij për integrimin. Për këtë arsye sipas tij të dy partitë e mëdha janë njëlloj përgjegjëse për dështimin ose suksesin e këtij procesi.

Ky lajm është publikuar: 13/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›