E Shtunë, 31 Tetor 2026

Angli, tronditet qeveria e Cameron Jep dorëheqjen zv/ministri i Thesarit

Largimi Liberaldemokrati Laws largohet pas zbulimeve lidhur me shpenzimet e tij

Dorëheqja e zëvendësministrit të Thesarit britanik është një tërmet për qeverinë e re dhe të sapoformuar të Kryeministrit britanik, David Cameron. Liberaldemokrati Laws, një ish-bankier që ishte bërë milioner në “City” ishte në të vërtetë “mendja” e shkurtimeve urgjente të miratuara disa ditë më parë nga ekzekutivi për të ulur deficitin buxhetor. Ai u largua plot 17 ditë pas marrjes së detyrës, pasi britanikja “Telegraph” tregoi se për disa vjet me radhë i kishte paguar një qira modeste partnerit të tij, me paratë e taksapaguesve në cilësinë e parlamentarit. Sot janë të shumtë ata që hipnotizojnë një rikthim të tij sërish në qeveri në të ardhmen, nëse organizmi që vëzhgon sjelljen etike të parlamentarëve do ta falë siç mendojnë shumë njerëz. Edhe pse ka dhunuar rregullat e dhomës së komunave që ndalojnë marrjen me qira të shtëpive nga të afërm ose njerëz me të cilat ke marrëdhënie pune, 40.000 sterlinat e shpenzuara në disa vjet për të dashurin e tij, James Lundie, kapnin shifrën e një shume prej 950 sterlinash në muaj. Laws u zëvendësua menjëherë nga Danny Alexander, ministër për Skocinë, një njeri që nuk e ka aspak eksperiencën e tij ekonomike. Si Cameron që tha se e pranoi dorëheqjen e tij me shumë trishtim pas përpjekjeve për ta bindur të qëndronte, si zëvendëskryeministri Nick Clegg, treguan se kishin ende shpresë se Laws mund të rikthehej sërish në qeveri. Laws, që ka luajtur një rol kyç në negociatat për aleancë me konservatorët, iu desh të bënte publik homoseksualitetin e tij. Ai kërkoi menjëherë falje sapo e gjithë ngjarja u mor vesh, por kjo nuk mjaftoi. Dorëheqja ishte e nevojshme. Që prej vitit 2006, deputetëve nuk u lejohet të marrin me qira shtëpi nga partnerët e tyre edhe pse ai vetë besonte se “nuk kishte thyer asnjë rregull’, sepse nuk ishte lidhur në mënyrë zyrtare me Lundie. “Doja vetëm të mbaja sekrete historinë time të dashurisë të nisur në 2001”, pati thënë ai. Nga ana tjetër, lideri i liberal-demokratëve, Nick Clegg, tha se kishte respekt të madh për mënyrën se si Laws u përball me presionin gjithmonë e më në rritje kundrejt atij. Vince Cable, sekretari liberaldemokrat për çështjet e biznesit u shpreh: “është një humbje e madhe, por ai i bëri gjërat ashtu siç duhen”. Nga ana tjetër, George Osborne, ministri britanik i Thesarit u shpreh: “Më vjen vërtet keq që do të humbasë një njeri si David nga Thesari. Ai ishte një nga njerëzit e duhur për të bërë këtë punë. Kam folur me të shumë herë gjatë këtyre 24 orëve të fundit dhe e përgëzoj për mënyrën se si veproi në këto rrethana të vështira”.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›