E Diel, 1 Nëntor 2026

Hakmarrja, vritet me levë nëna e dy fëmijëve

Belsh, bashkëshorti i viktimës kishte vrarë në vitin 1997 babanë e autores së krimit

Një vrasje e paramenduar dhe e përgatitur mund të konsiderohet ngjarja e djeshme në fshatin Shalës, të zonës së Belshit, rreth 30 kilometra larg qytetit të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17:50 të së dielës, kur autorja e ngjarjes, Antoneta Hysa, 50 vjeç ka qëlluar me një levë pas koke fqinjën e saj, Esma Xibrakun, 45-vjeçare, nënë e dy fëmijëve dhe ka plagosur vjehrrën e viktimës. Ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e 50-vjeçares Hysa dhe konflikti mes dy grave kishte nisur në banesën e autores së ngjarjes. Autorja ka thërritur dy gratë për vizitë dhe pas debateve me fjalë, Hysa ka rrëmbyer një levë dhe ka goditur me të mbi fqinjën. Në këtë moment ka ndërhyrë vjehrra e saj, por edhe ajo është goditur nga 50-vjeçarja me të njëjtën armë të ftohtë. E moshuara është rrëzuar përtokë, pranë nuses së të birit, e cila ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas ngjarjes, gruaja vrasëse është larguar dhe ka tentuar të fshihet në ullishtën e fshatit. Uniformat blu të Elbasanit sapo janë njoftuar për ngjarjen, kanë rrethuar zonën dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe ndalimin e 50-vjeçares vetëm pak orë pas ngjarjes që tronditi fshatin në periferi të Elbasanit. Ndërsa e moshuara është dërguar për në spitalin rajonal të Elbasanit, ku ndodhet nën trajtim mjekësor intensiv.

Ndërkaq, burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Elbasanit bëjnë të ditur se nga hetimet paraprake është arritur në konkluzionin se vrasja e 45-vjeçares është kryer për hakmarrje. Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997 në fshatin Shalës.

Sipas të njëjtave burime saktësohet se Nevil Xibraku, bashkëshorti i viktimës, Esma Xibraku, kishte vrarë me armë zjarri babanë e 50-vjeçares Antoneta Hysa. Gruaja është hakmarrë për gjakun e të atit duke vrarë me levë gruan e vrasësit të tij.

Por në fakt mësohet se vrasësi i babait të Antoneta Hysës është dënuar nga drejtësia për krimin e kryer. Ai është dënuar nga gjykata me 20 vjet heqje lirie për këtë krim dhe është në burg duke vuajtur dënimin. Ndërkaq, policia bëri të ditur se disa herë është tentuar të kryhej një krim i tillë dhe gjakrat ishin qetësuar vetëm pas ndërhyrjes së autoriteteve lokale dhe policore.

Ndërkohë, mësohet se tri ditë më parë policia e Elbasanit arriti që të shuante një konflikt të tillë duke ndaluar bashkëshortin e Antoneta Hysës, Besimin, për armëmbajtje pa leje, pasi iu kapën në flagrancë armë zjarri e municione në shtëpinë e tij.

Policia është duke hetuar për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. Ngjarja e djeshme e çon në pesë numrin e vrasjeve të ndodhura në rrethin e Elbasanit brenda harkut kohor të dy muajve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›