Gjiri i Meksikës, katastrofa nuk ndalet
“Top Kill” ka dështuar zyrtarisht ndërsa Uashingtoni e ka cilësuar rrjedhjen e naftës në Gjirin e Meksikës si katastrofën më të madhe ekologjike në historinë e SHBA me dëme të pallogaritshme. “Jemi krejtësisht të zhgënjyer”, tha përgjegjësja e rojës bregdetare, Mary Landry, ndërsa më parë në një konferencë për shtyp në Luiziana, Doug Suttles, shefi i operacioneve të shoqërisë shumëkombëshe të naftës, kishte anonçuar dështimin e kësaj metode për bllokimin e rrjedhjes së naftës. “Pasi provuam për tri ditë këtë metodë, nuk ishim në gjendje ta frenojmë rrjedhjen nga pusi. Kështu që tani besojmë se është koha që të kalojmë te një alternativë tjetër”. “Top Kill” ishte metoda me të cilën hidheshin lëngje të dendura dhe baltë në pus. “Ndotja e shkaktuar në Gjirin e Meksikës është pa dyshim katastrofa ekologjike më e keqe në historinë e Shteteve të Bashkuara”, është shprehur Kerol Bouner, përgjegjësja për ambientin në Shtëpinë e Bardhë. Pas njoftimit të BP-së, Presidenti Barak Obama nxori një deklaratë ku thuhej se qeveria do të përdorë gjithë mënyrat e përgjegjshme për të ndalur derdhjen. Presidenti i SHBA-së është shprehur thellësisht i zhgënjyer për dështimin e së ashtuquajturës metoda "Top-Kill", për mbylljen e çarjes në platformën nënujore të naftës në Gjirin e Meksikës. Ai ka mbetur i shtangur dhe i nervozuar që tani nafta do të vazhdojë edhe më tej të derdhet në det nga tubi i çarë në thellësinë prej 1500 metrash në det. Ndërkohë që edhe kjo përpjekje dështoi, BP është duke menduar tani për një manovër e cila duket se kërkon katër ose më shumë ditë kohë: ajo quhet Lower Marine Riser Package (LMRP) dhe parashikon prerjen e pjesës së dëmtuar të pusit dhe frenimin e rrjedhjes me një valvul. Satëlls thotë se do të duhen katër ditë për ta çuar deri në fund këtë metodë, por shtoi se nuk kishte garanci për sukses. “Të gjithë janë të frikësuar që nuk po mund ta ndalojmë rrjedhjen e këtij pusi, apo që nuk kemi pasur sukses deri tani. Ne i kemi kushtuar burime të pafundme këtij objektivi, kemi mbledhur mendjet më të zgjuara nga gjithë bota, qeveria dhe industria. Ne jemi përpjekur t’u themi njerëzve që në fillim që kemi alternativa të ndryshme që po i ndjekim paralelisht, sepse nuk e dimë se cila do të funksionojë”, tha ai.
Përpjekja e radhës pa sukses dhe anonçimi i planit “D” nuk shmangën dot zemërimin dhe indinjatën e njerëzve për këtë tragjedi ekologjike më të madhe të kohërave moderne. Protesta të mëdha janë zhvilluar në Luiziana dhe Nju Jork: të hipnotizuar nga “spill-cam”, telekamera që transmeton imazhe të rrjedhjes së naftës 24 orë në 24 tani edhe Uashingtoni po vlerëson seriozisht veprime gjyqësore kundër kompanisë së naftës. Departamenti i drejtësisë ka folur për një padi penale ndaj saj. Që prej të premtes në shtetet e Gjirit ishte shtuar pesimizmi mbi përfundimin me sukses të operacionit “Top Kill”, por edhe tani nuk ka më siguri. E ndërsa në Luiziana rriten polemikat, sepse sipas autoriteteve lokale, shoqëria shumëkombëshe e naftës ka organizuar operacione thjesht fiktive me rastin e vizitës së Obamës në një plazh të Grand Isle, Departamenti i Drejtësisë ka hedhur hapat e parë drejt një veprimi ligjor kundër BP për sjelljet para dhe pas katastrofës. Një skuadër prokurorësh dhe investiguesish të udhëhequr nga zëvendësprokurorët e përgjithshëm, Ignacia Moreno dhe Tony West kanë nisur të mbledhin prova në Luiziana për të verifikuar nëse BP ka dhunuar rregullat e sigurisë federale dhe mashtruar autoritetet duke i siguruar se ishte në gjendje të arrinte të mbyllte shumë shpejt rrjedhjen e naftës. Hetimi i departamentit të drejtësisë është hapi i parë para nisjes zyrtare të një procesi gjyqësor. Që prej shpërthimit të naftës më 20 prill çdo ditë derdhen në det me qindra mijëra litra naftë. Kjo është katastrofa më e madhe ambientale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku janë ndotur 270 kilometra të bregdetit. Sasia e derdhur në det deri më tani sipas administratës është 151 milionë lira. Ndërsa sezoni i ri i uraganeve mund ta rëndojë më shumë situatën.
#