E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi në Gjermani i shoqëruar nga 70 biznesmenë

Autori i Lajmit: Redaksia

Gjatë vizitës së tij në Gjermani presidenti Bamir Topi ka qenë i shoqëruar nga 70 biznesmenë shqiptarë, të cilët morrin pjesë në forumin ekonomik të biznesit shqiptaro-gjerman të mbajtur në Berlin, me pjesëmarrjen e një grupi të rëndësishëm të biznesit të të dy vendeve. Pas çeljes së punimeve të Forumit nga drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë së Berlinit, zotit Aksel Niçke, Presidenti shqiptar, Bamir Topi, në fjalën e tij përshëndetëse, pasi shprehu kënaqësinë e veçantë të takimit me përfaqësues të komuniteteve të biznesit, veçanërisht, të komunitetit të biznesit gjerman, falënderoi sipërmarrësit gjermanë dhe të gjitha strukturat shtetërore dhe private ekonomike dhe financiare gjermane, të cilat kanë shprehur interes për Shqipërinë dhe që aktualisht “ndodhen në vendin e donatorit më të madh për vendin tonë, duke dhënë mbështetjen e tyre të madhe në procesin e gjatë të transformimit demokratik dhe evropian që Shqipëria tashmë ka ndërmarrë”. Gjithashtu, në fjalën e tij, presidenti Topi vuri në dukje se “Shqipëria po përjeton sot ndryshime të jashtëzakonshme politike, ekonomike dhe sociale dhe procese të thella përshtatëse me një shoqëri të lirë, demokratike e të ekonomisë së tregut. Ne jemi të vendosur të arrijmë me sukses këtë qëllim. Cili më mirë se ky qytet ku ne ndodhemi sot do të përfaqësonte shembullin ideal se kur ka vullnet politik, kur ka politika të drejta ekonomike dhe sociale, kur qëllimi i bashkon njerëzit, kur tregu gjen hapësirë, kur sipërmarrja shpërblehet dhe kur njeriu shijon lirinë, ëndrra kthehet në realitet. Ky realitet politik, ekonomik dhe social quhet sot Berlin, kryeqyteti i vetëm i Gjermanisë”. Gjatë punimeve të Forumit e morën fjalën gjithashtu presidenti i Shoqatës Ekonomike Gjermani – Shqipëri, Hans-Jyrgen Myler; presidenti i Komitetit për Evropën Lindore dhe Qendrore, Mihael Rabe; kryetari i Dhomës së Tregtisë së Shqipërisë, Nikolin Jaka, si dhe mjaft përfaqësues e sipërmarrës gjermanë e shqiptarë të biznesit.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›