E Diel, 1 Nëntor 2026

Anglia çmendet për Canën, e kërkon edhe Totenhemi

Lorik Cana është shndërruar në një objekt dëshirash i disa prej ekipeve më të njohura të Premier League, të cilat janë vënë në garë për të marrë shërbimet e mesfushorit shkatërrues të Olimpikut të Marsejës. Vetëm pak ditë më parë, shtypi francez raportonte se, kapiteni shqiptar i Olimpikut nuk bënte pjesë në planet e trajnerit të ri të Marsejës, Didier Deshamps. Dhe, mesa duket, kjo ka qenë një pjesë funksionale e zhvillimeve të fundit të merkatos. Tabloidët anglezë lajmëronin dje se, trajneri i Totenhemit, Heri Redknap, është shumë i interesuar për shërbimet e mesfushorit të Shqipërisë dhe Marsejës, Lorik Cana. Po ashtu, dje është publikuar edhe shifra e përafërt, që mendohet se do të ofrojë skuadra e "hotspurs"-ave për blerjen e tij: bëhet fjalë për një shumë prej 5 milionë sterlinash, (rreth 6 milionë eurove). Për Lorik Canën kanë shprehur vazhdimisht interesimin edhe Arsenali, Liverpuli, Evertoni e Bajerni i Mynihut. Shanset që mesfushori të transferohet te Totenhemi janë shumë të vogla, për shkak se shuma e ofruar është shumë më e vogël se vlera reale e tij, i cili luhatet te 10-12 milionë euro. Ndërkohë që vetë 26-vjeçari ka pohuar shpesh se qëndrimi i tij tek Olimpiku i Marsejës edhe për sezonin tjetër është 50% me 50%. Në një prononcim të shqiptarit të dhënë për revistën prestigjioze franceze "France Fooball", të bërë publike në numrin e djeshëm, Cana ka lënë të kuptohet se e ardhmja e tij është ende e pavendosur. Pavarësisht se ka një kontratë të vlefshme deri në qershor 2012, duket se aventura e tij në stadiumin "Velodrome" ka arritur në fund. "Unë erdha këtu për të fituar titullin dhe fakti që nuk e fitova këtë sezon mund të më nxisë të vazhdoj akoma me këtë ekip, për ta provuar sërish vitin e ardhshëm. Nuk kam pse të ngutem për t‘u larguar. Nëse në të vërtetë do të vendos të largohem, nuk do ta vazhdoj më karrierën time në Francë, pasi këtu kam luajtur me dy ekipet më të mira, PSG dhe Olimpikun e Marsejës. Por do të largohem drejt një kampionati tjetër evropian", u shpreh Cana për "France Football".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›