Kuzhe me stil holandez, kërkon mbrojtje e sulm njëkohësisht
Pas pesë ditësh grumbullimi, kontingjenti i ekipit Kombëtar është plotësuar. Dita e djeshme e përgatitjeve për sfidën e 6 qershorit me Portugalinë është karakterizuar nga një analizë e gjatë që trajneri Josip Kuzhe ka zhvilluar me futbollistët në mesditë. Drejtuesi i stolit është përqendruar më së shumti në mënyrën e lojës së kuqezinjve, ku përveç përmirësimit në aspektin taktik, ai ka kërkuar një lojë ofensive. Kroati 56-vjeçar kërkon nga skuadra një imitim të "futbollit total", atë të shpikur nga shkolla holandeze. Atë stil loje që paraardhësi i tij Ari Han nuk arriti për asnjë moment ta përdorte në përfaqësuese, pavarësisht se ishte pjesë e brezit të artë të "tulipanëve". Kuzhe e ka vënë theksin te loja nga krahët, si mënyra më e mirë e skuadrës për të furnizuar me topa sulmuesit dhe për të rrezikuar kundërshtarët. Ndërsa, i përqendruar te përballja me Portugalinë, trajneri kërkon që të gjithë të mbrojnë dhe kur skuadra ka topin të gjithë të sulmojnë. Bazat e Shqipërisë me "fytyrë" të re do të hidhen pikërisht në atë që Kuzhe e cilëson si pikën e fortë të skuadrës: kualitetin teknik të lojtarëve. Pasdite u zhvillua miqësorja e programuar kundër përfaqësueses Under-17, ku Kombëtarja "A" fitoi 13-0. Spikati i rikthyeri Kapllani me 6 gola, Skela e Salihi realizuan nga 2 rrjeta secili, ndërsa golat e tjerë u shënuan nga Lika, Agolli e Duro. Pas miqësores, trajneri konfirmoi se të shtunën do të luajë me formacionin 4-4-2: "Do të luajmë me këtë skemë. Natyrisht fitorja me Portugalinë është shumë e vështirë, por ne do të japim më të mirën në fushë për të mos i zhgënjyer tifozët që presin shumë për këtë sfidë. Më pas, duke përfituar edhe nga miqësorja me Gjeorgjinë do të fillojmë rindërtimin e ekipit".