Ylli dhe Ademi, në garën për president
Gara e ndezur në Komitetin Olimpik Shqiptar ka njohur dje zyrtarisht edhe dy kandidatët për postin e presidentit të ardhshëm. Ata janë Fidel Ylli dhe Esat Ademi. Afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave për presidencën e KOKSH-it ishte data 20 nëntor. Një ditë përpara përfundimit të afatit, Fidel Ylli, ish-sportist, trajner, biznesmen dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH, ka dorëzuar kandidaturën e tij. Ai është propozuar nga Federata Shqiptare e Mundjes për postin e presidentit të KOKSH. Ndërsa në ditën e përfundimit të afatit, pranë zyrave të KOKSH-it është paraqitur edhe kandidatura e dytë, ajo e Esat Ademit, ish-peshëngritës, president i Konfederatës Mesdhetare të Peshëngritjes dhe anëtar i bordit ekzekutiv të Federatës Evropiane të Peshëngritjes. Kandidatura e tij për postin e presidentit të KOKSH-it është propozuar nga Federata e Peshëngritjes, ku ai është edhe president. Zgjedhjet për postet drejtuese të Komitetit Olimpik Shqiptar do të mbahen më 6 dhjetor.