Anglia fiton me përmbysje, luanët eliminojnë Suedinë
Skuadra e Hodgsonit e pa veten në disavantazh pas një ore lojë, por golat e Uolkotit dhe Uelbekut përmbysën gjithçka, duke gjunjëzuar Ibrahimoviçin…
Një gol inteligjent, shënuar nga Deni Uelbek, i ka dhënë Anglisë fitoren 3-2 ndaj Suedisë, në një nga ndeshjet më të bukura të luajtura deri tani në Euro 2012. Ky sukses i ngjit luanët në krye të Grupit D me pikë të barabarta me Francën.
Ishte një fitore e vuajtur, një fitore pasioni që shpëton skuadrën e Roi Hodgsonit nga kapitullimi. Sulmuesi i Liverpulit, Endi Kerrol, i preferuar në formacion në vend të Aleks Oklsejd Çambërleinit shpërbleu besimin e trajnerit duke kaluar Anglinë në avantazh, në mesin e pjesës së parë.
Kerrol shënoi një gol tipik prej qendërsulmuesi, pas krosimit të marrë nga kapiteni Stivën Xherrard. Me rezultatin 1-0 për Anglinë u mbyll pjesa e parë, ndërsa në 45 minutat e dytat erdhi një dush me emocione dhe katër gola.
Një autogol i Glen Xhonsonit, në minutën e tretë të këtij fraksioni, ngjalli shpresën e madhe te Suedia, e cila goditi sërish kur u mbush një orë lojë. Veterani Olaf Melberg shënoi golin e avantazhit për nordikët, por përgjigja e Anglisë nuk vonoi.
Hodgson aktivizoi Uolkotin në vend në Milnerit dhe vetëm pas dy minutash në fushën e lojës, mesfushori i Arsenalit çoi shifrat në 2-2 me një goditje nga jashtë zone, e cila përfundoi në rrjetë edhe në saj të bashkëpunimit të portierit Isakson, i cili deri në atë moment kishte shkëlqyer.
Anglia kërkoi me ngulm golin e fitores dhe e gjeti 12 minuta para fundit, me anë të Uelbek, i shërbyer nga njeriu i ndeshjes, Teo Uolkot. Në ndeshjen e ardhshme, Anglisë i mjafton një pikë ndaj Ukrainës për tu kualifikuar.
Për këtë takim Hodgson do të ketë në dispozicion edhe Uejn Runin, i cili ka qenë i skualifikuar në dy ndeshjet e para të Euro 2012. Nga ana tjetër, Suedia e Ibrahimoviçit pëson humbjen e dytë radhazi dhe është matematikisht e eliminuar nga veprimtaria që po zhvillohet në Ukrainë dhe Poloni.
Në ndeshjen e fundit, ata do të ndeshen me Francën. Franca dhe Anglia ndajnë vendin e parë me nga katër pikë, ndërsa Ukraina ka tri pikë.
