Anglia vendos ekstradimin e Kumbaros
Një gjykatë londineze vendosi dje miratimin ekstradimit drejt Shqipërisë të të akuzuarit për rrëmbimin e Remzi Hoxhës
TIRANE- Një gjykatë angleze në kryeqytetin britanik Londër, vendosi dje të ekstradojë në drejtim të Shqipërisë ish- oficerin e lartë të SHIK-ut, Ilir Kumbaros të akuzuar, për rrëmbimin dhe më pas zhdukjen e biznesmenit shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha.
Lajmi është bërë i ditur nga burime të Ministrisë së Drejtësisë ndërsa ai është emetuar dje edhe në disa media britanike duke cituar se Gjykata Britanike kishte vendosur pranimin e kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e tij në Shqipëri.
Kumbaro, rreth 50 vjeç, është akuzuar se në bashkëpunim me me oficerë të tjerë, të Shërbimit Informativ Kombëtar (aktualisht Shtetëror), Arben Sefgjini, Avni Koldashi, Budjon Meçe, kanë rrëmbyer dhe torturuar në vitin 1995, biznesmenin shqiptaro- maqedonas Remzi Hoxha.
Bashkë me të, u rrëmbyen biznesmeni minoritar dhe njëkohësisht kreysocialisti i Sarandës, Ziso Kristopulli, dhe Avdyl Loshaj. Aktualisht procesi ndaj të akuzuarve vazhdon në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë ndaj, Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Kumbaros.
Për Meçen, Gjykata ka pezulluar procesin gjyqësor, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore. Ndërkaq pas pranimit të kërkesës së autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Kumbaros, pritet që procedurat e mëtejshme të vazhdojnë me miratimin nga organet e tjera kompetente.
Ilir Kumbaro, 50 vjeç, nga Tirana, u kap në fillim të tetorit të vitit të kaluar nga policia Londineze, pas një ndjekjeje të gjatë të tij nga oficerët e Interpolit shqiptar si dhe nga autoritetet e policisë londineze të "Scotland Yard".
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, ai ishte arrestuar nga autoritetet policore londineze më 5 tetor, ndërsa udhëtonte me një pasaportë false me shtetësi çeke. Në asnjë moment nga arrestimi i tij, Kumbaro, nuk e ka pranuar identitetin e tij të vërtetë por ka pretenduar se ishte personi të cilit i përkiste edhe pasaporta.
Por pas ndalimit të tij, dhe krahasimit të gjurmëve të gishtërinjve fotos së tij si dhe pamjes fizike të tij nga vetë oficerët shqiptarë, është vërtetuar plotësisht se personi, ishte dora vetë ish- oficeri i Lartë i SHIK, Ilir Kumbaro.
Përpara arrestimit të tij, ish- oficeri i shërbimit Inteligjent është mbajtur në vëzhgim nga agjentët e policisë britanike për të vërtetuar plotësisht, nëse personi që ndiqnin ishte apo jo njeriu që në të vërtetë kërkonin.
Tashmë rreth 6 muaj pas arrestimit të tij, ai është i detyruar të rikthehet në Shqipëri në bankën e të akuzuarve pranë ish- drejtorit të tij, Arben Sefgjini, Avni Koldashit.
Në të njëjtën ditë, me vendimin për ekstradimin e tij, në Tiranë duhej të zhvillohej seanca e radhës për procesin në ngarkim të tij dhe personave të tjerë të akuzuar. Seanca është shtyrë pasi një nga gjyqtarët paraqiti një raport mjekësor për shkak të gjendjes së tij jo të mirë. D. B
Policia
Pranga dy grabitësve të dyqaneve
Policia e Tiranës çon në qeli dy persona të akuzuar për vjedhjen e një dyqani ushqimor. Specialistët e seksionit Kundër Vjedhjes së Biznesit arrestuan dy ditë më parë 32-vjeçarin Faik Goxha dhe Zenel Sulaj, 42-vjeç sepse dyshohet se janë autorë të vjedhjes së një dyqani ushqimor.
Burime zyrtare nga policia thanë se dyqani u vodh tre ditë më parë në Yzberish të Tiranës, kur dy persona të maskuar kanë marrë një sasi parash dhe mallra ushqimore.
Pronari i dyqanit menjëherë lajmëroi policinë e cila bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa nisi hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Në rrugë operative policia mundi të identifikonte dhe të zbulonte vendndodhjen e dy personave të dyshuar si autorë të vjedhjes.
Faik Goxha dhe Zenel Sulaj u dërguan në qeli pasi akuzohen për veprën penale të "vjedhjes" në bashkëpunim, ndërsa në cilësinë e provës materiale aty iu sekuestruan mallra ushqimor, 25 000 lekë, një kapuç, një xhup lëkure dhe një motor papaq, me ngjyrë të kuqe.
Burime nga policia thanë se po vazhdojnë hetimet për të zbuluar nëse dy personat mund të jenë autorë të vjedhjeve të tjera të kryera në kryeqytet ku të dhënat e mbledhura dëshmojnë se autorët kanë qenë të maskuar dhe janë larguar me motorë.