E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e dy policëve, tetë fëmijë mbeten jetimë

Topi:


Si President i Republikës, por edhe si qytetar, nxis të gjitha strukturat shtetërore që të vendosin sa më parë përpara drejtësisë autorin e kësaj ngjarjeje që tronditi mbarë opinionin. Reagimi sa më i shpejtë ndaj këtij krimi do të jetë përgjigjja më e mirë që i jepet çdokujt që guxon të prekë një punonjës në krye të detyrës



Topalli:


Ngjarja që ndodhi mbrëmë është shumë e rëndë për të gjithë Shqipërinë. Shteti ka humbur dy policë që punonin me besim për shtetin dhe ne të gjithë vlerësojmë maksimalisht sakrificën e tyre. Premtoj që shteti do të mendojë për fëmijët e Shkëlzen Dobrushit dhe Ramadan Hilës, sepse ata janë fëmijët tanë


Berisha


Inspektorët Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila u martirizuan dje për të fituar pavdekësinë në altarin e të rënëve të kombit, i cili do t'u jetë atyre përjetë mirënjohës. Ndërsa ai që shkrehu mbi ta zjarrin vdekjeprurës, do të marrë ndëshkim shembullor dhe të merituar për aktin e tij makabër


Rama:


Shpreh hidhërimin për ngjarjen e ndodhur dhe solidaritetin ndaj të afërmve të viktimave. Ngjarja e mbrëmshme ishte një goditje për të gjithë, ndaj të gjithë duhet të bashkohemi kundër krimit. Mbrëmë u vranë dy shërbëtorë të shtetit. Përballë kriminelëve duhet të jemi të gjithë një familje


CEREMONIA/ Në fshatin Shemri mbërritën qindra banorë për përcjelljen në banesën e fundit të punonjësve të policisë të rënë në detyrë


KUKËS - Fshati Shemri ishte mbështjellë i tëri në zi ditën e 24 marsit, ndërkohë që qindra banorë nga Shemria, Kalimashi, por edhe nga qyteti i Kukësit dhe zona e Pukës kanë ngushëlluar familjet e policëve të vrarë mbrëmjen e 23 marsit.

Vrasja e së hënës në darkë la jetimë tetë fëmijë, 5 vajza të Ramadan Hilës dhe 2 djem e një vajzë të Shkëlzen Dobrushit. Arkivoli me trupin e policit të vrarë Shkëlzen Dobrushi është i vendosur në një dhomë të shtëpisë së tij në lagjen "Dobrush" të Shemrisë. Gra e vajza vajtojnë me kujë duke dhënë përcjellë dhimbjen e humbjes së kryefamiljarit e që ishte vetëm 29 vjeç.

Banorë të shumtë, pjesëmarrës në varrim shprehen se ende janë të shokuar dhe nuk duan të besojnë për të gjithë atë që ka ndodhur në fshatin e tyre, ku bashkëfshatari i tyre Afrim Hasani vrau dy policë, njëherësh edhe bashkëfshatarë. "Ende nuk e besojmë të gjithë atë që ndodhi", thonë banorë të fshatit Shemri, pjesëmarrës në varrimin e policëve.

Megjithatë, pjesëtarë të këtij fshati e kanë etiketuar autorin e vrasjes së dyfishtë Afrim Hasanin si person mjaft problematik në këtë zonë. "E dinim që dikujt do t'i mbeste në dorë apo dikush do ta pësonte nga ai njeri që ishte bërë problem për fshatin ku të gjithë i hapnin rrugën", shprehet një bashkëfshatar i tij. Ceremonitë e varrimit të policëve janë drejtuar nga grupi i Ceremonive në Drejtorinë e Policisë së Shtetit dhe të gjitha shpenzimet e varrimit janë përballuar nga shteti.

Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila gjetën vdekjen në një bar-kafe të fshatit Shemri, të vrarë nga bashkëfshatari i tyre Afrim Hasani. Për ngushëllim në familjet e Destan Dobrushit dhe Sadik Hilës mbërritën edhe funksionarët e lartë të shtetit e qeverisë shqiptare, si kryetarja e kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Bujqësisë, njëherësh edhe deputet i zonës së Shemrisë, Jemin Gjana, kryetari i Komisionit Parlamentar për Rendin e SHISH-in, Leonard Demi, deputeti i opozitës Pandeli Majko, funksionarë të lartë të Ministrisë së Brendshme, drejtorisë së Policisë së Shtetit etj.


---------------------------------------------------------------------------------------------------

Afrim Hasani u vu në pranga mesditën e djeshme, ndërsa forca të shumta speciale e RENEA zbarkoi në Kukës


Pranga vrasësit, asnjë rezistencë


Postblloqe të shumta u ngritën, ndërsa u patrullua edhe liqeni i Fierzës për moslargimin e autorit drejt Kosovës

KUKËS - Vrasësi i dy policëve u vu në pranga mesditën e djeshme, pothuajse 14 orë pas realizimit të vrasjes.

Menjëherë pas ekzekutimit Afrim Hasani ishte larguar nga vendi i ngjarjes, ku rreth një orë më pas mbërritën dhjetëra forca policie të rretheve të Kukësit, Hasit, Pukës e Shkodrës, si dhe forca speciale dhe të RENEA-s të ardhura nga Tirana e Shkodra.

Në të gjitha rrugët nacionale dhe rurale që lidhin Shemrinë me Kukësin e Fushë-Arrësin dhe fshatrat përreth u ngritën postblloqe, ndërkohë që varka me motor kanë patrulluar gjatë gjithë natës dhe paradites në Liqenin e Fierzës, pasi kishte të dhëna se autori mund të largohej pëmes liqenit të Fierzës për në zonën e Hasit dhe më pas për në Kosovë.

Operacionet policore u drejtuan nga vetë drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi, ndërsa pranë tij ishin edhe zv.ministri i Brendshëm, Gent Strazimiri dhe drejtori i Drejtorisë së Krimeve të Rënda, Nikolin Bala.

Sapo ka zbardhur drita forcat e policisë kanë filluar krehjen e zonës në afërsi të fshatit Petkaj. Pas rreth katër orë kërkimesh, policia ka bërë të mundur identifikimin e autorit të vrasjes, i cili ka qenë duke qëndruar i fshehur në një pyll në brigjet e liqenit të Fierzës në fshatin Petkaj, me automatik në dorë. Mësohet se Hasani nuk ka bërë asnjë rezistencë në momentin e arrestimit.

Gjatë transportimit të tij për në qelitë e komisariatit të Kukësit, vrasësi i dy policëve nuk ka thënë asnjë fjalë lidhur me vrasjen. Kjo ngjarje do të hetohet nga prokuroria për Krimet e Rënda. Prokurorë të kësaj prokurorie po qëndrojnë në Kukës për të hetuar rreth kësaj ngjarjeje.


Motivi


"Tërhiqni padinë ndaj meje ose përndryshe do t'ju vras". Ky mësohet të ketë qenë kërcënimi që Afrim Hasani u ka bërë policëve të qarkullimit rrugor të sektorit Shemri - Qafë-Shllak, Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila.

Me datë 17.03.2009, autori i kësaj ngjarjeje, Afrim Hasani, i ndikuar edhe nga konsumimi i tepërt i alkolit kishte shkaktuar rrëmujë duke dëmtuar disa karrige dhe pasqyra të lokalit, pronë e shtetases Lumturi Brija.

Kjo e fundit ka njoftuar policinë lidhur me këtë ngjarje. Drejtuesit e policisë së Kukësit kanë ngarkuar policët Shkëlzen Dobrushi e Ramadan Hila që të shkojnë në vendin e ngjarjes për të normalizuar situatën.

Por gjatë ndërhyrjes policët kanë hasur në rezistencën e Afrim Hasanit, i cili është përleshur me dy policët duke i kundërshtuar. Punonjësit e policisë janë tërhequr për momentin, ndërkohë që Afrim Hasani ka hipur më pas në një automjet për të shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Petkaj.

Por dy policët e qarkullimit rrugor i kanë nderprerë rrugën automjetit duke e bllokuar atë, ndërkohë që edhe kësaj radhe kanë hasur në rezistencën e Afrim Hasanit.

Të nesërmen policia ka bërë një kontroll në shtëpinë e tij, por Hasani nuk ndodhej në shtëpi. Policët kanë bërë kallëzim ndaj tij, ndërsa prokuroria e Kukësit ka nisur procedimin penal, ndërkohë që Afrim Hasani është shpallur person në kërkim.

Gjatë këtyre ditëve autori i vrasjes së policëve i kishte kërcënuar ata që të tërhiqnin denoncimin, përndryshe do t'i vriste. Ky kërcënim është bërë realitet mbrëmjen e 23 marsit.

Shkëlzen Dobrushi dhe Ramadan Hila po përgatiteshin që të mernin shërbimin në aksin rrugor Shemri - Qafë-Shllak. Rreth orës 21:00 ata kanë hyrë në lokalin e Isa Dobrushit për të pirë kafe, në pritje të marrjes së shërbimit në orën 22:00.

Në lokal në këtë orë të vonë të natës kanë qenë vetëm dy policët dhe punonjësi i shërbimit, i cili ka qenë dukë u marrë me pastrimin e lokalit. Befas në lokal ka hyrë me një automatik në dorë Afrim Hasani i cili i ka thënë punonjësit të shërbimit se nuk kishte punë me të, ndërkohë që ka derdhur plumbat në drejtim të dy policëve duke i lënë të vdekur në vend.

Ekspertët mjeko-ligjorë kënë bërë të ditur se Shkëlzen Dobrushi ishte goditur me katër plumba, një në kokë dhe tre në gjoks, ndërsa Ramadan Hila ka qenë i goditur me një plumb në kokë.


Premçi: "100 mijë euro për kapjen e autorit"

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shetit Ahmet Premçi ka bërë të ditur se policia e shtetit kishte vënë në dispozicion të informatorëve për kapjen e autorit të vrasjes rreth 50 mijë euro.

"Për shumën e 50 mijë eurove është kompetencë e Policisë së Shtetit për ta akorduar për informatorët. Por kryeministri Sali Berisha më ka telefonuar që ta dyfishoj vlerën, pasi shumën tjetër do ta paguante qeveria.

Nëse autori i vrasjes nuk do të kapej deri para varrimit të policëve ku ishte edhe objektivi, ne do të publikonim edhe shumën tjetër, megjithatë nuk e patëm të nevojshme të shpenzojmë asgjë lidhur me këtë arrestim", -u shpreh Premçi.

Drejtori i Përgjithëm i Policisë së Shtetit e ka cilësuar vrasjen e dy policëve në Shemri të Kukësit si ngjarjen më të rëndë për policinë gjatë këtyre viteve, pasi kishte vite që nuk vriteshin policë.

Policët


Polici i vrarë Shkëlzen Dobrushi, student i vitit të dytë në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.
Inspektor Shkëlzen Dobrushi ka mbaruar akademinë e policisë në 2003-shin.


Ai është mobilizuar në radhët e Policisë së Shtetit në vitin 2004, ndërkohë që nga viti 2006 e në vazhdim Dobrushi bashkë me kolegun e tij Ramadan Hila janë transferuar në policinë e qarkullimit rrugor ku kanë qenë të ngarkuar të patrullojnë rrugën nga Shemria në Qafë-Shllak. Krahas kësaj Shkëlzen Dobrushi ka qenë student i vitit të dytë të Fakultetit Juridik (me kohë të pjesshme) në Universitetin e Prishtinës.

Autori i vrasjes Afrim Hasani kishte deklaruar pas vrasjes se do të vriste veten.
Bëhet e ditur se Afrim Hasani pas kryerjes së vrasjes mbrëmjen e 23 marsit kishte telefonuar motrën e tij ku i kishte treguar se kishte vrarë dy policët. "Motër, puna ime ka mbaruar, unë do vras veten", mësohet t'i thënë autori i vrasjes motrës ë tij.

Autori i vrasjes, krushqi me policin e vrarë prej tij Ramadan Hila


Mësohet se autori i vrasjes kishte lidhje miqësie me policin Ramadan Hila. Vëllai i Afrimit është i martuar me kushërirën e parë të policit të vrarë prej tij. Ndërkohë që ai kishte lidhje miqësore edhe me viktimën tjetër Shkëlzen Dobrushi.



Kush ishte Afrim Hasani


Burime të policisë së komisariatit të Kukësit kanë bërë të ditur se Afrim Hasani ishte një person me precedentë të shumtë penalë, por ai shumicën e kohës kishte qëndruar në emigracion të paligjshëm në Norvegji.

Para katër vitesh ishte dënuar nga Gjykata e Kukësit për "armëmbajtje pa leje" pas kontrollit të ushtruar në shtëpinë e tij, pas dhunës që kishte përdorur ndaj babait të tij Avdi Hasani. Pas mbarimit të dënimit të dhënë nga Gjykata e Kukësit, Afrim Hasani, kishte emigruar jashtë vendit duke përfunduar në Norvegji.

Në shtetin nordik Afrim Hasani kishte përfunduar në burg, pas një përleshjeje me thika me një grup rivalësh nga Shkodra. Si pasojë e kësaj përleshjeje Afrim Hasani kishte marrë plagë të shumta në trup.

Pas përfundimit të dënimit të dhënë nga gjykata norvegjeze, 34-vjeçari është deportuar për në Shqipëri. Në aeroportin e Rinasit, policia shqiptare e ka arrestuar pasi dispononte pasaportë të falsifikuar.

Pas përfundimit të dënimit prej 7 muajsh, ai ka qëndruar në fshatin e tij Petkaj duke u bërë problem për komunitetin e kësaj zone, pasi, sipas banorëve, ai kishte kaluar në dëshpërim të thellë dhe konsumonte sasi të mëdha alkooli. Sasi të mëdha alkooli autori o vrasjes kishte konsumuar edhe ditën kur ekzekutoi dy policët.

Autori i vrasjes së policëve është i martuar dhe ka tre vajza. Familja e tij në fshatin Petkaj jeton në një varfëri të thellë dhe është identifikuar si një ndër familjet më të varfra të zonës.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›