E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja 5-milionëshe, pranga ideatorit

OPERACIONI/ Policia e Lezhës arrestoi Elton Gjinin, i cili ishte i dënuar në Shqipëri e Itali për vjedhje me dhunë

Ndodhen në kërkim dy bashkëpunëtorët e 38-vjeçarit për të cilët dyshohet se janë larguar jashtë vendit


LEZHË - Vetëm 2 javë ka zgjatur arratia e grabitësve të punonjësve të postës në Lezhë sapo ata kishin tërhequr një shumë parash prej 5 milionë lekësh të reja.

Pas hetimeve të kryera, blutë e komisariatit të Lezhës kanë mundur të vënë në pranga ideatorin e grabitjes së bujshme, ndërsa ka shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorë të tij. Elton Gjini, 38 vjeç, nga qyteti i Lezhës është arrestuar në një hotel në plazhin e Golemit, ku edhe fshihej pas grabitjes.

Hetimet e kryera kanë identifikuar si bashkëpunëtorë Enver Divën, 30 vjeç, nga Mamurrasi dhe Florind Markun, 24 vjeç, nga Lezha.

Organizatori i kësaj grabitjeje ishte një person me precedentë penalë në drejtim të vjedhjeve me dhunë duke përdorur armët, krime të cilat ai i kishte kryer edhe në shtetin fqinj Itali, ku ka qenë i dënuar dhe më pas është deportuar për në Shqipëri.

Bashkëpunëtorët e tij Diva dhe Marku pak muaj më parë ishin liruar nga burgu ku kishin vuajtur dënimin për grabitje më armë.

Diva kishte qenë i dënuar me 12 vite burg, ndërsa Marku me 7. Pas arrestimit të kreut të grabitjes më armë në qendër të qytetit të Lezhës dhe në mes të ditës, policia ka shpallur në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tij, të cilët prej disa ditësh janë larguar nga qendrat e tyre të banimit.


Arrestimi


Makina me të cilën u krye edhe grabitja e që më pas u gjet e djegur 5 km larg qytetit të Lezhës së bashku me pamjet filmike të sekuestruara nga kamerat e bankës, ka qenë edhe orientimi i policisë për gjetjen e autorëve.

Informacionet e marra në mënyrë operacionale dhe pyetja e shumë personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen, ka çuar drejtuesit e policisë së Lezhës në drejtimin e duhur.

Aksionet e policisë për kapjen e autorëve kanë qenë të shumta, por largimi i tyre në drejtim të paditur ka bërë që policia të mos publikojë emrat e tyre.

Një aksion i tillë është kryer ditën e diel edhe nga forcat RENEA, por të dyshuarit ishin larguar më parë sesa forcat e specializuara të bënin një rrethim të vendeve ku dyshohej se fshiheshin grabitësit.

Edhe njëherë në skenë kanë hyrë informacionet, të cilat kanë saktësuar vendndodhjen e Elton Gjinit, organizatorit të kësaj grabitjeje, pikërisht në një hotel në Golem të Durrësit. Blutë e Lezhës në bashkëpunim edhe me kolegët e tyre të Durrësit kanë organizuar operacionin për kapjen e 38-vjeçarit.

Për të vënë në pranga edhe 2 bashkëpunëtorët kryesorë të kësaj grabitjeje, policia e Lezhës ka kërkuar ndihmën edhe të drejtorive të tjera të policisë, pasi dyshohet se ata janë larguar drejt kufijve shtetëror në kërkim pur t'u larguar nga vendi.


Dyshimet

Fakti që bashkëpunëtorët e 38-vjeçarit tashmë të arrestuar si koka e kësaj grabitjeje janë liruar së fundmi nga burgu, hedh dyshimin se ata e kanë organizuar një veprim të tillë që nga qelia.

Ajo që mbetet ende enigmë është fakti se nga ka rrjedhur informacioni për tërheqjen e parave dhe shumës së tyre pikërisht në datën 12 mars dhe pikërisht në orën 10. Po sipas burimeve policore, arrestimi edhe i 2 personave të tjerë të menduar si të përfshirë në këtë grabitje do të zbardhë plotësisht këtë ngjarjen.


Ngjarja


Në 12 mars të këtij viti rreth orës 10 të paradites, 3 persona të armatosur arritën të grabisnin 2 punonjëset e postës së filialit Lezhë dhe policin që i shoqëronte, duke arritur t'u marrin atyre shumën prej 5 milionë lekësh që sapo i kishin tërhequr nga banka. E gjithë skena ka zgjatur vetëm 5 minuta, ndërsa grabitësit janë larguar në rrugën e vjetër nacionale në drejtim të fshatrave të Lezhës.

Uniformat blu të Lezhës janë vënë në ndjekje të tyre, por grabitësit kanë mundur të largohen pa u identifikuar. Vetëm pak orë më vonë, makina me të cilën u krye grabitja është gjetur e djegur në mal në afërsi të fshatit Tresh.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›