E Diel, 1 Nëntor 2026

Dokle: “Të miratohet fond paraprak për të përmbyturit”

Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria duhet të miratojë menjëherë një fond paraprak pa llogaritjen e dëmeve. Kështu këshilloi ligjvënësit socialist Namik Dokle, i cili, së bashku me deputetë e PS-së, Xhemal Qefalia, Tom Doshi, Gjovalin Kadeli dhe Skënder Hasa, kanë qenë të shtunën gjatë gjithë ditës në disa komuna të përmbytura në qarkun e Shkodrës. Deputetët socialistë kanë qenë në disa fshatra të komunës së Bushatit, të Velipojës dhe në fshatin Mali i Jushit. Ata janë takuar me banorë të këtyre zonave, dhe kanë dëgjuar prej tyre shqetësimin për ndarjen më të mirë të ndihmave. Në komunën Velipojë ishte e pamundur të hyje nga rruga e re, dhe deputetët kanë përshkruar rrugën e vjetër për të shkuar në këtë komunë pa mundur të hyjnë tërësisht në thellësi të saj pasi edhe ura për të shkuar atje ishte e bllokuar nga uji. Pas vazhdimit të gjendjes nga afër, ai këshilloi Ekzekutivin të marrë masa afatshkurtra emergjente dhe më pas dhe masa afatmesme dhe afatgjata. Masë emergjente, sipas tij, është shpëtimi i jetës së njerëzve dhe më pas mbështetja me ushqime, veshmbathje jo vetëm për njerëzit por dhe bagëtinë. Kjo sipas ligjvënësit socialist nuk mund të përballohet nëse nuk ndihmon e gjithë shoqëria. “Në këtë kontekst do të thosha që qeveria urgjentisht duhet të miratojë një fond paraprak, pa pritur llogaritjet e dëmeve. Llogaritja e dëmit do të bëhet më vonë, por një fond paraprak që familjet e përmbytura të kenë mundësi financiare për të përballuar vështirësitë e ditës. Më pas momenti i llogaritjeve të dëmeve të mëdha për të bërë dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit të humbjeve që kanë pësuar banorët e këtyre zonave”, - pohoi ai. Më tej Dokle u ka premtuar banorëve se do të jenë çdo ditë pranë tyre për të shprehur në vazhdimësi solidaritetin e Partisë Socialiste e të Grupit të saj Parlamentar, me të gjithë banorët që u janë përmbytur shtëpitë dhe gjithçka. Ai pohoi se për të kontribuar edhe në përballimin e kësaj situate, Partia Socialiste dhe strukturat e saj në gjithë Shqipërinë tashmë po kontaktojnë me njerëzit për të rritur frymën e solidaritetit, për të mbledhur ndihma monetare apo materiale në ndihmë të familjeve të përmbytura, sepse siç shikojmë edhe nga vetë situata që është këtu është një situatë dhe një gjendje mjaft e rëndë mjaft alarmuese. “Njëkohësisht prej këtu, nga kjo zonë e përmbytur në mënyrë kaq dramatike, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të menaxhojë situatën, sepse po të shikosh stallat e mbytura, shtëpitë e mbytura, fshatarë, të cilët nuk kanë ndonjë rrugëdalje, kjo duket si një “Gërdec” i mbuluar me ujë”, - tha Dokle. Deputetët socialistë kanë dëgjuar dhe dëshmitë e banorëve për dëmet e shkaktuara nga përmbytja. Sipas një banori të fshatit Mali i Jushit, në shtëpitë e rrezikuara nga përmbytja ka ende njerëz. “Ka edhe pleq, të moshuar, të sëmurë. Mbrëmë e kanë çuar një të sëmurë me makinën e ushtrisë. Bagëtia janë nën ujë, i kemi nxjerrë në mal. Gjithçka na ka shkuar dëm, me bereqet, me çfarë kemi në shtëpi. Kot sa jetojmë këtu, më mirë me marrë çantat pas krahut dhe me ik nga ky vend, nuk ka pse të rrimë më këtu. As drita, as kurrgjë ska. Transformatori është në ujë, duhet me ikë që këtu sa më parë. Pa drita, pa ujë, pa kurrgjë”, - ka pohuar ai.

Ky lajm është publikuar: 10/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›