E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anija italiane, muze nënujor në Sarandë

17/05/2005  Një anije luftarake italiane e Luftës së Dytë Botërore ndodhet sot e kësaj dite e mbytur në Gjirin e Sarandës, rreth 300 km në jugperëndim të Tiranës dhe vetëm 14 milje larg ishullit helen të Korfuzit. Anija, sipas dëshmitarëve okularë të moshës së tretë në qytetin bregdetar, u bombardua në tetorin e largët të 1943-shit nga gjuajtësit gjermanë, në përpjekje për të kryer misionin e tërheqjes së ushtarëve dhe oficerëve pas kapitullimit të Italisë së Musolinit.

Anija me gjatësi mbi 50 metra, pa emër dhe pa numër në bashin e saj, vetëm 70m larg nga plazhi i qytetit bregdetar, gjatë viteve të fundit ka shërbyer si një muze nënujor i gjallë, ku janë fiksuar relike të asaj kohe dhe objekte të ndryshme si në një film dokumentar të ngrirë në sekuencat e tetorit të largët të Luftës së Dytë Botërore. Zhytësi dhe mjedisologu i njohur shqiptar, Xhemal Mato, tha se "gjatë zhytjeve pak vite më parë, kam parë në anije një inventar sendesh si shishesh me verë dhe shishe bosh, çizme ushtarësh, medikamente mjekësore etj.".

Por Mato, që është i vetmi instruktuor i lincensuar për zhytjet në Shqipëri, në zhytjen e fundit një vit më parë ka vënë re se një pjesë e këtij inventari të relikeve të Luftës së Dytë Botërore ishte marrë nga zhytës anonimë.

"Ndoshta kanë qenë turistë ose zhytës italianë", tha ai.

Anija italiane, një muze i gjallë i Luftës së Dytë Botërore, mund të frekuentohet nga turistë dhe amatorë të huaj të zhytjeve që frekuentojnë rajonin turistik jonian të Shqipërisë, ose që mbërrijnë nga ishulli helen i Korfuzit në Sarandë, për të vizituar më tej qytetin antik të Butrintit.

Por për këtë "destinacion" të ri të anijes luftarake të Musolinit, duhet një sinjalistikë dhe një guidë turistike.

"Fare mirë hoteli më i afërt që ndodhet as 90 metra larg nga anija, tha zhytësi Mato, mund të vendosë një tabelë guide në anglisht dhe shqip me skicën e anijes, thellësinë, etj., për t'i orientuar zhytësit, turistë të huaj ose vendas.

Ndoshta, edhe një histori të shkurtër të shkruar të episodit të largët të Luftës së Dytë Botërore, kur njëra nga dy anijet që do të tërhiqte ushtarët dhe oficerët e ushtrisë së kapitulluar, mundi të largohej drejt Italisë, ndërsa tjetra e bombarduar nga gjuajtësit gjermanë, përfundoi në fund të detit, pranë brigjeve shqiptare për t’u "rrëfyer" qyetarëve të lirë të xhek.XXI historinë e shkuar dramatike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›