E Hënë, 2 Nëntor 2026

Podgorica: Kënga i përket Ledinës

17/05/2005  Dje në mesditë, në Kiev, është mbajtur konferenca për shtyp, ku është paraqitur kënga shqiptare “Nesër shkoj”; mungesa e dy autorëve të këngës ka kaluar me habinë mediatike mbi justifikimin që ka bërë kreu i delegacionit shqiptar Gëzim Podgorica; Skandali i mungesës së autorëve është transferuar dhe në sitet zyrtare të Eurovizionit

Konferenca në Kiev

Hila&Laço: Na habit argumenti i Podgoricës në konferencën për shtyp mbi mosparaqitjen tonë, nuk mund të jemi xhelozë për këngën tonë

Ledina: E kam përkthyer këngën në anglisht për ta kuptuar publiku

Podgorica: Xhelozia se emrat e tyre nuk njihen në krahasim me këngëtaren, ka bërë që në Kiev të mos paraqiten dy autorët e këngës “Nesër shkoj”.

Xhelozia se emrat e tyre nuk njihen në krahasim me këngëtaren, ka bërë që në Kiev të mos paraqiten dy autorët e këngës “Nesër shkoj”. Kjo ka qenë deklarata zyrtare e Gëzim Podgoricës, drejtorit të Radios para gazetarëve në Kiev, kur përfaqësuesit e këngës shqiptare janë prezantuar dje në konferencën për shtyp. Në shtyp kjo është komentuar si “ankesë” e kreut të delegacionit shqiptar.

Mungesa e dy autorëve të këngës shqiptare nuk ka kaluar pa polemika mediatike dhe në kryeqytetin ukrainas.

Ajo që ka habituar auditorin, ka qenë pyetja-argument e Podgoricës, si një “justifikim” për mospjesëmarrjen e kompozitorit dhe autorit të tekstit të këngës, që përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion.

Sigurisht që problemet e hershme rreth Shqipërisë ishin të njohura. Kryetari i delegacionit Gëzim Podgorica, bëri një kontraversial për këtë situatë, kanë komentuar mediat e atjeshme.

Podgorica i është drejtuar gazetarëve duke i pyetur: ”Ju e njihni kompozitorin e Ruslanës?”. Pasi auditori ka heshtur, ka qëndruar në pak pauzë, fjalën e ka marrë sërish Podgorica. “Asnjë nga ju nuk e njeh”, tha ai, kur nuk mori përgjigje. Ndërsa mediave ky dialogim i është dukur ca i çuditshëm, duke i kujtuar delegacionit shqiptar se Ruslana e ka kompozuar vetë këngën së bashku me bashkëshortin e saj, Aleksandër Ksenofontov.

Aryes së Podgoricës, në Tiranë i janë përgjigjur po me aq habi dhe dy autorët rebelë, Adrian Hila dhe Pandi Laço.

Asnjë prej tyre nuk e kanë pritur këtë lloj argumentimi nga ana e Podgoricës, madje më shumë se aq, Hila dhe Laço janë habitur për rrugëzgjidhjen “origjinale” që ka bërë drejtori i Radios para mediave në Ukrainë. Përpos të tjerave, në sitin zyrtar të Eurovizionit tërheq vëmendjen prononcimi i Podgoricës, se “kënga i përket më shumë këngëtares se sa autorëve”.

Nga ana tjetër, jashtë këtij argumenti, gazetarët kanë pyetur Ledinën përse ajo e këndonte këngën më shumë në gjuhën angleze dhe jo në shqip. Këngëtarja Çelo është përgjigjur para gazetarëve, se ka shumë njerëz që nuk e kuptojnë gjuhën shqipe dhe se publiku duhet ta kuptojë këngën, prandaj është menduar që të përkthehet në anglisht.

Kënga e saj “Tomorrow i go” (Nesër shkoj) është një këngë për dashurinë dhe martesën. Kur e pyetën se ç’do të thotë kjo për të, Ledina ka thënë se në Shqipëri martesa vazhdon të jetë tradicionale dhe se kënga nuk ka motiv vetëm dashurinë. Më shumë se kaq, ka thënë këngëtarja jonë, kënga mban një gjë mjaft të veçantë, siç është martesa, ku vajza nis një jetë të re me burrin e saj. Ndërkohë që mediat e atjeshme, nuk kanë anashkaluar faktin se, Ledina vetë nuk është e martuar.

Emocionet, pika e dobët e Ledinës

Që Ledina Çelo të shmangë emocionet në natën finale të konkurrimit në Eurovizion, për vetë këngëtaren përbën gati një sfidë. Shumë e ndjeshme kur del në skenë dhe në rastin e të kënduarit “live” në Festivalin Evropian, përbën akoma më tepër një problem delikat për përfaqësim shqiptar.

Dilema është nëse Ledina do të mund t’i mposhtë emocionet, për të mos ulur kuotimin e jurisë qendrore.

Por shumë syresh, duke besuar te spektakli në skenë, që sjell Ledina, ndoshta do mund t’ia hedhë. Nga ana tjetër, vetë Ledina, duke qenë koshiente për këtë pikë të dobët të natyrës së saj, në intervistën për “Metropol” është shprehur se, kur ka përballë një publik të huaj, që nuk e njeh, e ndihmon më tepër që të largojë emocionet. Publiku shqiptar siç duket është problemi i emocioneve të saj, njerëzit që e njohin. Por ky realisht nuk është rasti kur Ledina ka kënduar në skenat e Evropës, por është rasti i një konkurrimi që e lëkund rëndshëm ndjeshmërinë.

Sondazhi – Internet

Ledina duke ndjekur Helenën greke

Në krye të votimeve në internet është këngëtarja greke Helena Paparizoi, me afro një mijë vota. Ndërsa, kjo këngëtare është e ndjekur nga Ledina Çelo, që ka arritur të tërheqë mbi 500 vota. Ndërsa debatet nëpër forumet e internetit duken mjaft të ashpra, sidomos për vendet e Ballkanit. Deri atje sa po e komentojnë Eurovizionin e këtij viti jo si festë të këngës, por gati si arenë politike.

Votimi për fqinjët është sërish polemika më e ndezur ndërmjet fansave për Eurovizionin. Po ashtu debatin në mes Qipros, Serbisë dhe Greqisë po e paraqesin si një ndeshje tepër delikate, gati me mbrojtje patetike. Ndërsa xhelozia është fytyra e diskutimeve për pjesëmarrësit në Festivalin Evropian, ku dominojnë këtë vit ballkanasit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›