Ç'fshihet pas togfjalëshit "Mendo Rozë"
17/05/2005 Shona Illingworth na zhyt në errësirën e videos së saj “Rreshtorja”, ndërsa arkitektura zanore sendërton strukturat madhështore të pushtetit, ndërkohë që ai përpiqet të verë përfund tërësisht subjektet e tij. Jehona e hapave që marshojnë, zëri i prerë urdhërues dhe shiritat e dritës që presin mespërmes errësirën e imazhit, dalngadalë e mbërthejnë shikuesin dhe pas njëfarë kohe ai ka përshtypjen se është brenda kokës së rekrutëve të rinj, që dridhen dhe u shkojnë mornica pas çdo rrokjezimi të urdhrit të thënë me zë të lartë. Në skajin tjetër të këtij procesi gjejmë ushtarët e Ermelinda Agalliut, te vepra e saj "Truproja". Duke ndjekur të njëjtat linja, madje edhe të njëjtin lloj ushtrimi, rreshtoren, artistja u heq një grupi ushtarësh gjithçka që ushtrimi synon, në fakt, të nxisë. Ata veprojnë ende në grup, u binden urdhërave zanorë dhe sillen si njësi kompakte, por elementi i thjeshtë me të cilët artistja ka zëvendësuar armët, çadrat me lule, asgjësojnë kërcënimin që ushtarët duhej të na përcillnin. Ndjenjat e trazuara të reales-joreales të pushtojnë, kur ndodhemi përballë punës së Juan Pedro Fabas "Ngjyra të mirëfillta". E njëjta poetikë, e përforcuar edhe nga prania dhe përzierja e ushtarëve me mjedisin natyror. Një ndjenjë e hollë dhe e qëllimshme loje përshkon videot e tij, në të cilat ushtarët ose janë maskuar deri sa është e pamundur të zbulohen – ose janë bërë pjesë e peizazhit, ose janë vendosur si lodra Lego mbi një siluetë të mprehtë peizazhi. Dizajni i "personalizuar" i uniformës së ushtarit-manekin të Alban Hajdinajt, rezultat i interesit dhe kërkimeve të tij mbi estetikën shijëshpëlarë të rajonit, përcjell në vështrim të parë thuajse një "rrymë mode". Sidoqoftë, kjo qëndron larg prej qëllimit të artistit ose përfundimit ku ai kërkon të ndalojë perceptimin tonë. Kjo uniformë krejt e pazakontë synon pikërisht nxjerrjen e dukshme në pah të individit dhe “ndryshimit” brenda ikonografisë gjithëpërfshirëse, që në zanafillë është konceptuar t’i nënshtrojë këto elemente. Kështu vepron edhe Genti Shkurti te puna e tij "Foto Një Minutëshe", mbi një ushtar roje të Gardës Kombëtare të Shqipërisë. Duke e filmuar atë për një minutë, ndërkohë që ai është i vetëdijshëm se po e filmojnë, Genti arrin ta nxjerrë jashtë detyrës së tij së patjetërsueshme, shpërfillja e gjithçkaje gjatë mbrojtjes së vendosjes së tij, duke zbuluar qëndrimin e tij të pambrojtur njerëzor dhe kotësinë banale të pozimit përpara kameras. Duke ndjekur këtë lojë midis linjës së padallueshme të reales me jorealen në botën ushtarake, punët e Henrick Anderssonit dhe Mohammad Hamidit na kthejnë sërish te mizorja, ana e vërtetë e asaj që një "njësi kolektive e grupit" mund të shkaktojë nën komandën e padiskutueshme të një autoriteti të epërm. Artisti suedez paraqet përpara nesh bukurinë e kobshme të një tingulli të thellë, që sa vjen e shtohet. Në fakt është dhimbja e tokës, ashtu siç u regjistrua nga artisti në Kanada, ndërsa kryhej një shpërthim prove bërthamore në Pakistan. Artisti i ri nga Kabuli, Mohammad Hamid, paraqet një video të shkurtër, shumë të ngjashme me marrëdhënien individ-njësi kolektive, siç e ndeshëm në botën e virtualitetit. Pothuajse si një lojë video, ku paraqitet një grup njerëzish tru-manipuluar gjatë dhjetëvjeçarësh lufte dhe shkatërrimesh, artisti thotë me zë të lartë fjalë që kanë peshë dhe shpërthejnë me të njëjtën forcë që kanë në realitet. Si të donte të na kthente sërish te fillimi i hetimit tonë, sytë e lagësht të ushtarëve të fotografive të Juta Benzenberg-Klosit; buzëqeshja e pasigurt që lodron në fytyrat e tyre, koka midis duarve e një djaloshi me një kalë të bardhë në sfond, na ngul edhe më thellë bindjen se, tek e fundit, individi me dobësitë, thyeshmërinë dhe humanizmin e tij, shfaqet dhe mposht "njësinë kolektive". Mbase është edhe thjesht një iluzion, por e gjithë kjo rreh të tregojë se ekziston diçka natyrore, diçka njerëzore që priret t’i rezistojë konstruksionit të kobshëm të "Njësisë kolektive". Ja ç’fshihet pas togfjalëshit "Think Pink".