Avokatët kryesisht: 6 muaj pa paratë e çështjeve penale
Shoqata e avokatëve penalë ka vendosur të bojkotojë përfaqësimin në gjykatë deri në momentin që të marrin paratë e prapambetura për çështjet kryesisht. Sipas kreut të shoqatës së avokatëve penalë, Sajmir Visha, ata kanë që në muajin shtator 2009, që nuk marrin para për përfaqësimin e tyre, kur janë zgjedhur si avokatë kryesisht.
Sipas të dhënave, vetëm pak ditë më parë, shoqata e avokatëve penalë është mbledhur duke diskutuar në lidhje me përmirësimin e kushteve të punës. Një nga çështjet kryesore dhe më të rëndësishme që është diskutuar në këtë mbledhje ka qenë ajo e pagesës për çështjet kryesisht (kur avokatët paguhen nga shteti për të përfaqësuar mbrojtjen e të arrestuarve, të cilët nuk marrin avokat personal). Avokatët penalë kanë treguar se pavarësisht se kanë përfaqësuar shumë klientë për çështje kryesisht, Gjykata nuk i ka paguar. Këto pagesa nuk janë bërë që nga muaji shtator i vitit 2009 e deri më sot. Në këto kushte, shoqata ka vendosur të ngrejë zërin dhe të kërkojë që në një kohë të shkurtër të bëhet pagesa e tyre. Kryetari i shoqatës së avokatëve penalë, Sajmir Visha ka deklaruar se pas mbledhjes është vendosur që të kontaktohet me autoritetet përkatëse me qëllim që të bëhet pagesa e avokatëve kryesisht. “Por, zëri ynë nuk ka gjetur zgjidhje, kështu që kemi vendosur të shkojmë deri në masa ekstreme. Duke marrë shkas nga kjo, ne do të presim deri ditën e mërkurë dhe nëse ende nuk janë bërë pagesat përkatëse, atëherë do të bojkotojmë çdo çështje kryesisht, ku shteti duhet të na paguajë për punën tonë”, ka deklaruar Sajmir Visha. Më tej, në prononcimin për “Shqip”, Visha vuri në dukje se janë pikërisht këta avokatë që përfaqësojnë të akuzuar të ndryshëm në gjykatë, deri në momentin e caktimit të masës së sigurisë. Nga ana tjetër, avokatët deklarojnë se ashtu si shteti ka për detyrë të paguajë një avokat për të arrestuarit që nuk e përballojnë dot vetë, ashtu duhet të paguajë edhe avokatët që përfaqësojnë këta persona. Dëmi total i shkaktuar ndaj avokatëve që nga shtatori deri tani përllogaritet në miliona lekë, ndërkohë që ata duhet të paguhen nga buxheti gjyqësor.
Sipas ligjit, qytetarëve që kanë probleme me drejtësinë, por nuk kanë mundësi financiare të marrin një avokat, u vjen në ndihmë shteti duke u garantuar një mbrojtje ligjore. Tarifat përcaktojnë se sa paguhen avokatët kur marrin një dosje qoftë në themel, ashtu edhe për të qenë vetëm në një masë sigurie. Tarifat ndryshojnë në varësi të mbrojtjes ligjore që jepet sipas Gjykatës ku ndodhet dosja. Ato vijnë duke u rritur nëse dosja gjykohet në Gjykatën e Lartë apo atë Kushtetuese. Më shumë, këto shërbime konkretizohen në masat e sigurisë, ku janë më të shumta kërkesat e të pandehurve që kërkojnë një mbrojtje kryesisht. Një procedurë e tillë ndiqet edhe në gjykatat e tjera, por për shkak të natyrës së punës numri i këtyre avokatëve është më i vogël. Sipas statistikave të Gjykatës së Faktit të Tiranës, një përqindje e konsiderueshme e të arrestuarve detyrohen të zgjedhin avokat kryesisht. Një pjesë e bën këtë zgjedhje për arsye të vështira ekonomike dhe pjesa tjetër për shkak të krimit që mund të ketë kryer duke mos u kujdesur për të asnjë nga të afërmit. Kjo e fundit ka të bëjë me të gjitha ato raste kur kemi të bëjmë me krim brenda familjes.
#