Katër të dyshuar për makinën e avokatit
Mes një rrethi personash të shoqëruar në Komisariatin e Policisë së Sarandës pas djegies së autoveturës “Slloun” të avokatit Arben Koka, më të dyshuarit janë katër prej tyre. Edhe pse, për arsye hetimi, emrat e tyre nuk bëhen të ditur, burimet policore konfirmuan dje se dy prej 4 personave të marrë në pyetje, janë me precedentë penalë. Sipas hetuesve, pista kryesore ku janë drejtuar hetimet mbi ngjarjen e djegies me shishe benzine të veturës luksoze të avokatit Koka, mbetet kundërveprimi i dhunshëm i personave të cenuar nga veprimtaria e tij vite më parë, në pozicionin e prokurorit në Sarandë. Avokati Koka, dy ditë më parë është shprehur se nuk ka asnjë emër konkret në kujtesë që të mund të ketë diçka personale me të, ndërsa ditën e djeshme edhe ai ka konfirmuar se akti i dhunshëm, i konkretizuar me djegie të veturës së tij të shtrenjtë, ka shumë gjasa që fsheh dorën e njerëzve të cenuar nga penalizimi i bërë kur ishte prokuror. Duke iu kthyer çështjeve të hetuara prej tij, ai ka sjellë në kujtesë persona të hetuar në vite e të ndëshkuar ligjërisht për krime të mprehta, si: dënime të dhëna për rrëmbim personi, për vjedhje të përmasave të mëdha, vjedhje me djegie të automjetit e shumë vepra të tjera.
#