E Shtunë, 31 Tetor 2026

Euro false dhe heroinë, nga Bullgaria në Shqipëri

Strukturat operacionale sekuestrojnë 32 mijë euro dhe arrestojnë Skënder Buçpapën e Entela Dardhën

Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë për falsifikim parash, ndërkohë që janë sekuestruar 33 mijë euro. Arrestimi i tyre është kryer gjatë një operacioni, hetimi për të cilin ka zgjatur gjashtë muaj. Ata dyshohen se në bashkëpunim edhe me persona të tjerë, janë marrë me falsifikim parash dhe shitje të lëndëve narkotike. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bënë të ditur se gjatë natës, strukturat e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit kanë përfunduar operacionin policor të koduar “EuroMat”. Gjatë këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve Skënder Selim Buçpapaj, 37 vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë dhe Entela Hasan Dardha, vjeç 29, lindur në Mat dhe banuese në Tiranë. Këta persona akuzohen për veprën penale të vënies në qarkullim të monedhave të falsifikuara në bashkëpunim dhe “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Ata u kapën në flagrancë teksa po tentonin të këmbenin një shumë të konsiderueshme kartëmonedhash euro false. Nga kontrolli i këtyre personave, i automjetit në pronësi të njërit prej tyre dhe i banesave, u gjet dhe sekuestrua një sasi prej 33 mijë e 320 eurosh, kartëmonedha të gjitha të prerjes “20 euro”, me dy numra serie të njëjtë. Gjithashtu, u sekuestrua një sasi lëndë narkotike, e dyshuar heroinë për përdorim dhe qese e mostra për shitje në treg, dy vula të falsifikuara të shoqërive tregtare, gjashtë celularë, si dhe një makinë, tip “BMW, me targë TR 2729 F. Nga hetimet ka rezultuar se këta dy persona janë pjesë e një rrjeti të trafikut ndërkombëtar të eurove të falsifikuara dhe drogës. Trafiku i eurove false mendohet se po kryhet nga Bullgaria në drejtim të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Perëndimit. Vazhdojnë hetimet për zbulimin e personave të tjerë të implikuar. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan për ndjekje Prokurorisë së Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›