Endacaku nga Tropoja, i vetëvarur në kamion
Një endacak me orgjinë nga Tropoja, që punonte prej vitesh si karrocier në hapësirën ndërkufitare midis dy doganave shqiptare dhe greke në Kakavijë është gjetur i varur në karrocerinë e një trajleri, që ai e përdorte edhe si banesë. Burime të policisë bëjnë të ditur se 23-vjeçari është gjetur i vetëvarur brenda hapësirës së një trajleri të parkuar qysh prej 3-4 vjetësh në parkingun e mjeteve të tonazhit të madh në doganën e Kakavijës, pasi ishte kapur duke transportuar lëndë narkotike. Trupi i tij është parë nga një patrullë e policisë kufitare, e cila u informua paraprakisht nga një shofer. Burimet policore thanë se viktima quhet Eduard Coli, dhe prej disa vjetësh jeton i vetmuar duke lypur dhe duke transportuar me karrocë bagazhet e udhëtarëve që kalojnë në të dy anët e kufirit në Kakavijë. Mësohet se viktima është një person që prej vitesh nuk dihet se për ç’arsye qysh në fëmijëri është i braktisur nga prindërit dhe punonte e jetonte si lypsar në mjediset e pikës së kalimit kufitar. Në vendngjarje kanë mbërritur ekspertë të kriminalistët për të hetuar shkaqet e vetëvarjes së endacakut në karrocerinë e trajlerit tip “Volvo”, me targa BR 18 52 B, bllokuar nga policia që para tre vitesh. Sipas deklarimeve zyrtare të ekspertëve mjekoligjorë, në trupin e viktimës nuk u gjetën shenja dhune. Mendohet se 23-vjeçari nga Tropoja i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në trajler në orët e vona të mbrëmjes së të premtes në rrethana depresioni dhe nën efektin e pijeve alkoolike, që ai kishte konsumuar. Pasi u kryen veprimet e para hetimore nga ekspertët, janë njoftuar familja dhe të afërmit e tij në Tropojë për t'u paraqitur në morgun e Gjirokastrës për të marrë trupin e viktimës. Materialet me përfundimet e hetimeve të para i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për hetime dhe veprime të mëtejshme. Ky është rasti i dytë gjatë këtij viti në Qarkun e Gjirokastrës, që një shtetas i jep fund jetës duke u vetëflijuar.
#