E Diel, 1 Nëntor 2026

Anija pa busull e BerishësNga Lavdosh FerruniAnija që po drejton së fundmi Berisha po lundron qetësisht, e orientuar drejt dhe shumë e sigurt në bregdetin jonian. Kështu mund të shprehej figurativisht një takim i Berishës me disa prej ministrave të t

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Anija pa busull e BerishësNga Lavdosh Ferruni

Anija që po drejton së fundmi Berisha po lundron qetësisht, e orientuar drejt dhe shumë e sigurt në bregdetin jonian. Kështu mund të shprehej figurativisht një takim i Berishës me disa prej ministrave të tij në këto ditë ekzaltuese turistike joniane lidhur me zhvillimin e turizmit në bregdetin jonian dhe disa masa të shpejta lidhur me të. Ai propozoi gjithashtu dhe masa konkrete, si dhënien e kredive të buta për banorët e zonave në bregdet, si dhe mbështetjen e sektorit të bujqësisë në to, kryesisht nëpërmjet përparësisë në sistemin e vaditjes.

Furnizimi i plotë me energji elektrike i këtyre zonave ishte një tjetër çështje, për të cilin kryeministri Berisha kërkoi zgjidhje sa më të shpejtë. Për këtë zgjidhja e gatshme, sipas tij, mbetet TEC-i i Vlorës.

“Sërish parametrat e energjisë nuk janë ato që duhen, por për këtë do bëjmë një diskutim me Ministrinë e Energjitikës. Në rast se këto parametra janë probleme të disekuilibrit të sistemit energjitik të prodhimit të vendosur kryesisht në veri, atëherë zgjidhja është TEC-i i Vlorës, që do të prodhojë energji për të ruajtur parametrat e energjisë në zonën më turistike të vendit” - nënvizoi kryeministri.

Në këtë pikë cilido që ka ndjekur itinerarin e “anijes” së drejtuar nga Berisha në këto 4 vjet nuk mund të mos kuptojë se ai po e drejton anijen shqiptare pa pasur busull, gjë që nuk mund të mos çojë, në rastin më të mirë, në vonesën e madhe në mbërritjen në destinacionin e dëshiruar prej shqiptarëve. Nëse shihet me kujdes vetëm ligjërimi i mësipërm, qartësohet të drejtuarit kuturu. Ai thotë se për të ruajtur parametrat e energjisë në zonën më turistike të vendit, d.m.th., në bregdetin jonian, “do bëjmë një diskutim në Ministrinë e Energjitikës”. E gjitha duket sikur “kapiteni”, jo vetëm që s’ka busull, por nuk ka as hartë. Tashmë prej 4 vitesh janë bërë e stërbërë diskutime në Ministrinë e Energjitikës e të Turizmit e kudo. Ka dhe një strategji (Strategjia Kombëtare për Integrim e Zhvillim) 2008-2013 dhe strategji sektoriale shoqëruese për energjinë, turizmin etj. Gjithçka duhet të ishte normalisht fare e qartë. Por ndoshta “kapiteni” diçka ka zbuluar në ankorimin e tij në Dhërmi gjatë gushtit, që kërkon diskutime të reja. Gjëja më naive (në rastin më të mirë) është diskutimi i “disekuilibrit të sistemit energjitik të prodhimit të vendosur kryesisht në veri”. Kjo mund të hante diskutim në kohën e bllokadës “imperialisto-revizioniste”, por është krejt e pavlerë sot, ku Shqipëria është pjesë e rrjetit energjitik rajonal dhe evropian. Të gjitha vendet e rajonit janë importuese neto të energjisë, sidomos vendet turistike si Kroacia apo Mali i Zi. Secili vend, natyrisht, përpiqet të rrisë burimet energjitike të vendit të vet, mbështetur në lëndët e para disponibël në vendin e vet. Kroacia projekton central bërthamor së bashku me Slloveninë, Kosova projekton TEC me qymyr mbështetur në pasuritë e mëdha të linjiteve të saj, Shqipëria projekton HEC-e mbështetur në burimet e mëdha ujore të saj, e kështu me radhë të gjitha shtetet duke përfshirë në sistemet e tyre edhe energjitë e tjera të rinovueshme (diellore, të erës, biomasës, termale etj.). Në rrjet, ku Shqipëria bën pjesë, shit-blihet energjia. Të gjithë mbajnë mend se si në 2006 ministri i Energjitikës, Ruli, shkoi në Ukrainë për të blerë energji, kurse tani na dalka se operatorët turistikë të jugut e paskan të vështirë të blejnë energji prodhuar nga HEC-et e veriut të Shqipërisë. Ka të ngjarë që të ketë “vështirësi” të blihet energji edhe nga HEC-i i Kalivaçit, që futet në sistem më së shpejti. Magjishëm “kapiteni” sheh si burim energjie për jugun TEC-in e Vlorës. Në fakt po bëhen gati 10 vjet me fabulën që TEC-i i Vlorës do shpëtojë turizmin e jugut të Shqipërisë, pra që në projektidenë e tij. Por projektideja, ideja, plani dhe ndërtimi i TEC-it rezultuan të gabuar. Mbi 100 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë u derdhën në beton e hekur për të në dhjetëra hektarë bregdet turistik të jugut. Funksionimi i tij, siç pritej dhe siç është lajmëruar që në vitin 2005, është ekonomikisht i paleverdishëm dhe gjithashtu ka probleme me ndotjen mjedisore. Çmimi i blerjes së energjisë në tregun ndërkombëtar është shumë më i lirë se kostoja e prodhimit nga TEC-i i Vlorës. Kështu rezultantja është në rastin më të mirë paaftësi qeverisëse dhe në rastin më të keq korrupsion i përmasave të mëdha. Në një këndvështrim shpërthimi i fundit ekzotik i Berishës ngjan më tepër si një apologji për ndezjen e TEC-it dhe milionat e tjera që ai mund të gëlltisë për të djegur naftë aty e për të mbuluar kështu korrupsionin e madh gjithnjë e më të dukshëm, se sa një dashuri për turizmin jonian që do dhe ca më shumë energji dhe që qeveria falë investimit të saj do ta vërë patjetër në dispozicion të turizmit.

Lundrimi pa busull i Berishës duket edhe në vlerën që i jep turizmit në bregdetin e jugut dhe nënvlerën apo zerimin që i bën atij në pjesën tjetër të bregdetit shqiptar.

“Vetëkuptohet që potenciali më i madh turistik është potenciali jonian. Por është e domosdoshme që tani të lëvizim me shpejtësi që në të gjithë bregun e detit Jon të bëhen ndërhyrjet e gjithanshme të nevojshme për të kompletuar infrastrukturën me përparësi absolute, nga Orikumi deri në Ksamil”, - tha Berisha. Orientim i gabuar. Potenciali më i madh turistik i Shqipërisë është potenciali i bregdetit Adriatik. Shqipëria ka pak më shumë se 100 km bregdet jonian, i cili është shumë shkëmbor duke e bërë kapacitetin e tij mbajtës mjaft të kufizuar (sipas strategjisë së qeverisë vetëm 4000 shtretër), disa herë më të vogël se pjesa tjetër bregdetare e vendit. Ajo që e dallon Shqipërinë nga konkurrentët e saj turistikë, Kroacinë, Malin e Zi e Greqinë, është pikërisht hapësira e madhe prej rreth 300 km gjatësi bregdet ranor, shumë i munguar ndër ta. Zhvillimi i një turizmi bashkëkohor në këtë bregdet nuk është gjë tjetër veçse busulla e munguar (ose e humbur) e Berishës. Rruga Durrës-Kukës, që Berisha e njeh mirë, duhet të paktën t’i shërbejë atij si një pikë kryesore orientuese, në mungesë të busullës. Turisti mesatar që do zbresë në Adriatik që nga Kosova, Serbia, Hungaria e më tej, nëpërmjet kësaj rruge nuk do të dëshironte të zbriste edhe 200 km të tjera në Jug për të gjetur një turizëm më të shtrenjtë dhe të ngjashëm me turizmin e bregdetit shkëmbor kroat, malazez apo grek. E pa dyshim jo të gjithë shqiptarët do mundeshin apo do të donin të shkonin pas Qafës së Llogorasë për pushime.

Ka të ngjarë që Berisha e ka busullën, por qëllimisht ka zgjedhur drejtimin e gabuar ose nuk është vetë ai “kapiten” i anijes dhe atë e drejtojnë të tjerë. Planet e tij të bëra publike dhe të avancuara me vendime në nivele të ndryshme vendimmarrjeje përcaktojnë që nga Orikumi deri në derdhje të Bunës se Shqipëria do zhvillojë revolucionin industrial (shprehje e fundit e Berishës), me TEC-e me qymyr e me naftë, me terminale gazi e nafte, me rafineri, me naftësjellës, me fabrika çimentoje, me super porte kontejnerësh e porte çimentoje deri dhe me TEC bërthamor. Duke ditur se këto vepra e përjashtojnë turizmin si sektor të zhvillimit në bregdetin Adriatik, atëherë del në pah glorifikimi i turizmit jonian. Është koha që të sqarohet publiku, a ka busull anija shqiptare dhe, nëse ka, cili është drejtimi i saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›