E Diel, 1 Nëntor 2026

Përplasje te partia e çamëve, deputeti i vetëm afrohet me Shpëtim Idrizin e PSNga TemaPartia çame Drejtësi dhe Integrim po futet në krizë, për shkak se i vetmi deputet i saj duket se nuk ndan të njëjtat qëndrime me kryetarin. Dje është zhvilluar dhe

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Përplasje te partia e çamëve, deputeti i vetëm afrohet me Shpëtim Idrizin e PSNga Tema

Partia çame Drejtësi dhe Integrim po futet në krizë, për shkak se i vetmi deputet i saj duket se nuk ndan të njëjtat qëndrime me kryetarin. Dje është zhvilluar dhe mbledhja e kryesisë së kësaj partie, e cila ka patur debate të shumta. Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Dashamir Tahiri, e ka braktisur mbledhjen dhe më vonë ka dhënë një prononcim për mediet, së bashku me deputetin socialist, Shpëtim Idrizi. Ata kanë deklaruar se do të bashkojnë forcat e tyre në Kuvend për çështjen çame. Burimet thonë se në PDI ka një debat të fortë në lidhje me mbërritjen aty të deputetit të PS, Shpëtim Idrizi, që mund t’i japë një drejtim krejt tjetër partisë, për shkak se duket se ai ka tashmë me vete deputetin e vetëm të kësaj partie.

Muhedini

Kryetari i PDI, Tahir Muhedini, tha se në mbledhjen e kryesisë është shqyrtuar kërkesa e Shpëtim Idrizit për t’u bashkuar me këtë parti. Ai tha se Idrizi ishte tërhequr vetë nga bashkimi me këtë parti. Muhedini tha gjithashtu se ata synonin të merrnin në parti Idrizin për të rikuperuar një mandat që iu vodh atyre në Fier.

“Një nga pikat e rendit të ditës të parashikuara për mbledhjen e sotme, e cila ka interes edhe për mediet dhe opinionin publik, ishte shqyrtimi i kërkesës së z. Idrizi për t`iu bashkuar forcës sonë politike, PDI. Kjo çështje u mbyll me deklarimin e çuditshëm të z. Idrizi në një nga masmediat tona, i cili, me sa duket, nuk ka forcë e as kurajë të pohojë publikisht ato që ka thënë në takime konfidenciale.

Ne do të diskutonim sot kërkesën e paraqitur nga ai, pasi kishim hezitimet tona që të pranonim një deputet që ka dalë me votat e një koalicioni tjetër. Arsyeja e vetme pro pranimit të z. Idrizi do të ishte rikuperimi i mandatit që na u vodh nga po kjo forcë politike. Por më mirë që z. Idrizi u tërhoq, në këtë mënyrë na dha mundësinë që të njihnim karakterin e tij të dobët!” - tha Muhedini.

Idrizi

Menjëherë ka reaguar dhe deputeti socialist me origjinë çame, Shpëtim Idrizi. Ai është shfaqur së bashku me deputetin e PDI, Dashamir Tahiri. Idrizi tha se do të vijojë luftën në Kuvend për çështjen çame së bashku me deputetin e PDI. Ai nuk tha, nëse këtë luftë do ta vijojë nën siglën e PS apo të ndonjë force tjetër politike. Idrizi ka sulmuar dhe profilin politik të drejtuesit të PDI.

“Më vjen keq që një njeri si ai përfaqëson Partinë Drejtësi dhe Integrim. Unë nuk kam pasur ndonjë kontakt me zotin Muhedini dhe aq më shumë të bëj një kërkesë absurde dhe qesharake në një parti ku ai është kryetar. Unë kam pasur kontakte të vazhdueshme me deputetin e PDI, Dashamir Tahiri, por edhe me të gjithë komunitetin çam, për shkak të objektivit që unë kam, të mbroj çështjen çame në parlamentin shqiptar. Unë katër vitet e shkuara jam angazhuar dhe do të angazhohem sërish me deputetin Dashamir Tahiri që së bashku të marrim nisma të përbashkëta për çështjen çame. Dhe unë mendoj se çështja çame nuk mund të jetë çështje biznesi, bastesh dhe lejesh ndërtimi”, - tha Idrizi.

Tahiri

Deputeti i PDI, Dashamir Tahiri, ka qenë në të njëjtën linjë me deputetin e PS, Shpëtim Idrizi. Ai ka shpjeguar arsyet se pse është larguar nga mbledhja e kryesisë së PDI. “Në mbledhjen e radhës të kryesisë së PDI u devijua nga rendi i ditës dhe ishte diçka e pakuptimtë. Largimi im nga mbledhja ka të bëjë me pasjen në sfond të çështjes çame nga ana ime dhe jo një çështje karrigesh apo leje ndërtimi. Unë nuk di të ketë ndonjë kërkesë nga deputeti Idrizi dhe unë me Idrizin kam kontakte të vazhdueshme për çështjen çame, ku të dy do të kontribuojmë në parlamentin shqiptar”, - tha Tahiri.

Çështja çame

Deputetët e PDI dhe PS u angazhuan dje se do të punojnë për çështjen çame, një problem mjaft i vështirë ky për politikën tonë. Vizita e kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, në vendin tonë para disa kohësh trazoi shumë ujëra. Homologu shqiptar, Sali Berisha, nuk foli për asnjë moment për çështje çame gjatë diskutimeve dhe konferencës me Karamanlis. Berisha tha se nuk ka asnjë çështje të pazgjidhur me Greqinë. Ndërkohë, në sheshin kryesor të Tiranës, çamët nuk u lejuan të zhvillojnë protestën e tyre.

Shpëtim Idrizi ishte i pari politikan që reagoi në atë kohë duke deklaruar se ishte e turpshme që kryeministri, Sali Berisha, nuk e përmendi për asnjë moment çështjen çame.

Më vonë Berisha tha se çështja çame do të zgjidhet në përmbajtje të Protokollit për Fqinjësinë e Mirë që ishte nënshkruar, kur ai drejtonte shtetin, para se të rrëzohej me protesta masive. Berisha arriti që të nënshkruajë një marrëveshje me partinë që përfaqësonte këtë komunitet. Këta të fundit arritën të marrin një deputet dhe të afrohen për të marrë dhe një të dytë.

Shumë parti të vogla që nuk arritën të kenë përfaqësim në Kuvend thanë se sistemi i ri proporcional rajonal favorizonte parti të tilla që nuk është se kanë një numër shumë të madh votuesish. Në fakt, kishte parti të tjera me numër më të madh votuesish që nuk arritën të marrin deputet. Por, për shkak të numrit të përqendruar të votuesve në një qark, PDI mori një mandat që po e përdor fuqishëm për të patur një përfaqësim dhe në qeveri. Ende nuk dihet, nëse do të ketë një dikaster për ta dhe kush ministri do të drejtohet prej tyre. Gjithashtu, është ende e paqartë se si do veprojë kryeministri Berisha me përfaqësuesit e minoritetit grek, në rast se do pranojë në qeveri një parti të çamëve. Berisha po bën negociata të shumta për të pasur edhe PBDNJ në qeveri.

Merkato

Edhe ky parlament duket se nuk do t’i shpëtojë trafikut të deputetëve, krijimit të grupeve të pazakonshme parlamentare e aleancave nga më të ndryshmet. Megjithatë, ndryshe nga parlamenti i parë, që kishte një numër shumë më të madh partish të vogla, që mund të krijonin të tilla aleanca, ky parlament do të ketë shumë pak deputetë jashtë partive të mëdha, që mund të lëvizin dhe të krijojnë grupe presioni. I vetmi shans është se tashmë mazhoranca është e brishtë e ndoshta një apo dy deputetë mund të vendosin për fatin e qeverisë.

Por dhe në këtë rast duket se pozitat e kryeministrit janë shumë të forta për shkak të disa ndryshimeve kushtetuese që janë miratuar prillin e vitit të kaluar. Për të ndryshuar kryeministrin duhet paraqitur një emër i ri, që të ketë mundësi të marrë numrin e votave për të qeverisur dhe ky duket një mision shumë i vështirë.

Vitin e kaluar në parlament pati shumë aleanca dhe kapërcime. Falë tyre, Partia Demokristiane arriti të bëhej një parti që edhe pse nuk ishte votuar, të kishte një grup të madh deputetësh nga pas, të cilët arritën dhe të shkëpusin një ministri nga qeverisja e Partisë Demokratike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›