Prokuroria dërgon kërkesën për ekstradimin e Gashit
TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar pranë autoriteteve italiane kërkesën për ekstradimin në Shqipëri të shtetasit Bujar Gashi, i arrestuar vetëm pak ditë më parë në Trento, pasi ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes së shtetasit Dritan Disha. Kjo vrasje është kryer për llogari të “bandave” të Durrësit të drejtuar nga i pandehuri Lulëzim Berisha dhe Indrit Dokle, që të dy të arrestuar tashmë.Sipas burimeve të prokurorisë, dosja penale tashmë ka përfunduar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe pritet që brenda pak ditëve të dorëzohet në Gjykatë për gjykimin e çështjes, ndërsa kërkesa për ekstradim është deponuar në Ministri të Drejtësisë, e cila pas përkthimit të dosjes do të dërgojë materialet në Itali. Sipas akuzës, shtetasi Bujar Gashi rezultonte si person në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Krimeve të Rënda, më datë 21 korrik të viti 2008 ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë. Mësohet se emri i Bujar Gashit ka dalë në skenë rreth tri vite më parë i dyshuar si anëtar i “Bandës së Durrësit”, dhe që kishte marrë pjesë në një vrasje. Bëhet fjalë, sipas akuzës, për vrasjen e shtetasit Dritan Disha e ndodhur në vitin 2000 në Shenavlash të Durrësit. Për këtë vrasje akuzohen si autorë të dyshuar Indrit Dokle, Adriatik Coli, Indrit Taullai që të tre aktualisht të arrestuar dhe shtetasi në kërkim deri pak ditë më parë, Bujar Gashi. Sipas prokurorisë, nga hetimet disa mujore ka rezultuar se Dokle, Coli, Taullai dhe Gashi kishin organizuar pritën për të ekzekutuar shtetasin Tan Disha, të cilit i zunë pritë në Shënavlash të Durrësit, ku mësohet se Taullai ishte vendosur 500 metra para “shokëve” të tij për të sinjalizuar ardhjen e “shënjestrës”. Ku mësohet se Disha me makinën e tij sapo ishte afruar afër të pandehurve Dokle, Gashi e Coli këta të fundit kishin qëlluar më breshëri duke e lënë të vdekur në vend.