Berisha: Legalizimet i mbyllim brenda dy muajve
ADI SHKEMBI
Procesi i legalizimeve do të përfundojë brenda dy muajve të ardhshëm. Premtimi është bërë dje nga Kryeministri Berisha, i cili gjatë turit të përurimeve dhe falënderimeve për zgjedhjet e 28 qershorit është ndalur në Kamzë, zonë e cila i dha Partisë Demokratike jo pak, por 6200 vota më shumë se Partisë Socialiste. Sipas kreut të Qeverisë, legalizimit të banesave informale, procesit më të kundërshtuar nga opozita për sa i përket reformës së pronësisë po i vjen fundi. Në të njëjtën kohë ai premtoi se brenda një kohe të shkurtër Qeveria do të çojë në Parlament ligjin, i cili fut në përdorim letrat me vlerë. “Një projekt tjetër madhor zhvillohet dita-ditës në zonat tuaja dhe ky është legalizimi i banesave. Kam kënaqësinë e madhe se 70 për qind e të gjitha dosjeve janë miratuar në Qeveri. Ju siguroj se brenda 2 muajve që vijnë, 100 për qind, çdo dosje, do të jetë e miratuar në qeveri dhe ju garantoj se Parlamenti, 2-3 javët e para të punës së tij, do të miratojë ligjin për përdorimin e letrave me vlerë, që ju të paguani sipas vendimeve banesat tuaja në përqindjen e përcaktuar dhe premtuar nga Qeveria”, u shpreh kreu i ekzekutivit gjatë takimit në Kamzë. Përfundimi i procesit të legalizimeve ishte një prej premtimeve të fushatës elektorale të Kryeministrit Berisha. Për të përshpejtuar këtë proces, kreu i ekzekutivit deklaroi pak javë më parë në mbledhje qeverie se do të hartohet kuadri ligjor, i cili do të fusë në treg letrat me vlerë. Sipas skemës së re banorët e zonave informale do të paguajnë deri në 80 për qind të vlerës së ndërtimit me letra me vlerë.
Investimet
Në Kamzë Berisha inauguroi fillimin e punimeve në rrugën Instituti Bujqësor–Bulçesh. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor me një gjatësi prej 2.6 kilometrash, i cili lidh Bashkinë e Kamzës dhe Bashkinë e Tiranës me komunën e Paskuqanit, do të përmbajë edhe sistemin e rrjetit të energjisë elektrike, telefonisë, si dhe sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza. “Banorët e Kamzës, Paskuqanit dhe të gjithë banorët e ardhur nga të katër anët e vendit, nga Vaqarri deri në Zall-Herr, kanë ndërtuar qytetin më të madh dhe më të bukur të vendit, dëshmi e energjisë së tyre krijuese, dëshmi e vendosmërisë së tyre për të pasur një jetë më të mirë. Ju u larguat nga vatrat tuaja, për të kërkuar për vete dhe për fëmijët tuaj një jetë më të mirë”, theksoi kreu i ekzekutivit. Ai premtoi në të njëjtën kohë rritjen e investimeve për këtë zonë, duke vënë theksin tek infrastruktura dhe arsimi. “Ne do të bëjmë çdo gjë që ju të gëzoni kushtet e jetesës së një qyteti modern, ndaj dhe infrastruktura moderne për ju, shkollat, pallati i kulturës, pallati i sportit, qendra shëndetësore, ujësjellësi, kanalizimet, energjia elektrike, këto janë linjat, në të cilat ne kemi investuar dhe investojmë, deri në ndërtimin përfundimtar të një infrastrukture moderne”, theksoi më tej kreu i qeverisë. Prej disa javësh Berisha ka nisur një tur inaugurimesh dhe falënderimesh në të gjithë vendin për mandatin e dytë të fituar në zgjedhjet e 28 qershorit.