E Diel, 1 Nëntor 2026

Anila Godo: Gripi mund të jetë në Shqipëri, por në forma të lehta

Në Shqipëri autoritetet shëndetësore shtojnë masat për të përballuar një epidemi të mundshme të gripit të derrit në vend.

Deri tani nuk është konfirmuar asnjë rast me gripin e derrit në Shqipëri, por ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, thotë në një intervistë se ka mundësi që të ketë ndonjë rast të lehtë, i cili nuk është kapur. "Gripin ndoshta mund ta kemi edhe në Shqipëri, mund të jetë në forma të lehta, por sido që të jetë, deri tani para 4 ditësh ne kemi marrë 70 mostra nga 70 persona të dyshuar dhe nuk ka rezultuar asnjë pozitiv", tha Godo.

Si po e ndjekin autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë gjendjen e gripit në Shqipëri?

Këtë muaj, situata bëhet pak më shumë shqetësuese për faktin që ka marrë përmasat e një pandemie, por që në muajin maj ne morëm masat tona dhe krijuam komisionin e ekspertëve pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Së bashku me një grup operativ në mbështetje të këtij komisioni u krijua gjithashtu Komiteti Ndërministror i organizuar nga Kryeministri dhe ky komision ekspertësh në një bashkëpunim të ngushtë pothuajse të përditshëm me ekspertët rajonal të OBSH-së në Tiranë, filloi të vlerësojë një strategji që tashmë ishte gati.

Konkretisht, çfarë masash janë marrë?

Konkretisht do të thosha që janë disa masa fikse dhe përveç kësaj ne mblidhemi vazhdimisht për të rivlerësuar gjendjen/dhe në bazë të informacionit që na vjen nga OBSH-ja për situatën ndërkombëtare, për të rivlerësuar gjendjen në vend dhe për të ripërshtatur strategjinë tonë. Sidoqoftë, në këtë çast instituti i shëndetit publik ka përgatitur udhërrëfyesit e shkruar, të cilët janë shpërndarë në të gjitha rajonet dhe drejtoritë e Shëndetit Publik Rajonal. Gjithashtu, drejtuesit rajonalë të shëndetësisë janë thirrur nëpër seminare nëpërmjet të cilave këta duhet të dinë se si duhet të trajtojnë një rast të dyshuar dhe si duhet të sillen tashmë me një rast të konfirmuar. Ne kemi përgatitur fletë të shkruara, të cilat janë shpërndarë në të gjitha pikat kufitare, në mënyrë që çdo person i vendit apo i huaj që arrin në pikat kufitare të deklarojë pranë strukturave tona- inspektorateve tona sanitare, që tashmë gjenden të organizuar në çdo pikë kufitare - nëse është i sëmurë ose jo, ka temperaturë, apo është i shëndoshë, por pa dashur ka qenë në ambiente apo kontakt me persona të dyshuar.

Megjithatë, zonja Godo, në disa prej pikave kufitare të kalimit në Shqipëri, vihet re se nuk ka masa serioze lidhur me mbrojtjen nga virusi, madje nuk shihet që punonjësit e këtyre pikave të kenë dhe mbrojtësen para fytyrës?

Faktikisht ky nuk është tani më një rekomandim i OBSH-së dhe për këtë doja të thosha që strategjia jonë disi mund të ketë ndryshuar në përshtatje dhe me rekomandimet e reja.

Pra, duket sikur tashmë përhapja e epidemisë është e paevitueshme si në vendet ku është i pranishëm ky virus, ashtu dhe në vendet që në dukje konsiderohen se akoma nuk kanë raste të infektuara. Pra, vëmendja është fokusuar më tepër se si ne mund ta zbusim më shumë këtë pandemi, sesa të jetë prezent dhe në Shqipëri dhe të jemi gati për t‘i bërë ballë.

OBSH-ja ka kërkuar që të merren masa për të vaksinuar popullatën. Në fakt, në çfarë faze jemi ne?

Faktikisht ne tani nuk e kemi vaksinën, pritet të prodhohet vaksina që do të jetë në treg në fillim të shtatorit. Shpresojmë! Ashtu si të gjitha vendet e tjera, edhe ne kemi tashmë një fond, "planin e kontingjencës", por në mbledhjet e qeverisë do të rishtrohet që ky fond të vijë duke u rritur, në mënyrë që dhe vaksinimi i popullatës të vijë duke u rritur. Unë pata një bisedë me nëndrejtoreshën rajonale të OBSH-së për Europën dhe biseduam edhe për faktin që të themi//////////////// sa duhet të jetë sasia e vaksinës të cilën duhet ta blejmë, në mënyrë që të kemi të drejtë /////////////të themi që në një farë mënyre jemi mirë të mbuluar.

Sa vaksina do të blihen?

Kjo varion. Ka një lloj thënie që thotë se nëse arrijmë të vaksinojmë një të katërtën e popullatës, pra 25 për qind, i bie të jemi të mbuluar. Ka vende të tjera të cilat pretendojnë një mbulim 100 për qind, por tani ne pretendojmë të jemi gati, kemi një stok Tamiflu, kemi një fond gati për blerjen e një sasie vaksine të cilën do ta rrisim në varësi me të rejat që do na sjellë situata epidemiologjike.

Nëse flasim me shifra, sa është ky fond znj. Godo?

Nuk ka rëndësi se sa është fondi, sepse qeveria do paguajë çdo lloj shume nga buxheti i saj për të plotësuar kërkesën me vaksina.

Kush do të vaksinohen të parët znj. Godo?

Duhet të vaksinohen patjetër gratë shtatzëna, të gjithë ata persona që më parë kanë paraqitur sëmundje kronike, sidomos të mushkërive, sepse këta janë më të prirur që një virozë të tillë ta kalojnë shoqëruar me komplikacione. Pastaj ai kontingjent i popullatës me moshën 15-45 vjeç, që janë personat më aktivë, më në lëvizje, më të mundshëm për të pasur kontakte më të shpeshta; do të jenë fëmijët e shëndoshë dhe më pas grupmoshat më të vjetra, duke e ulur prioritetin me rritjen e moshës e duke menduar që një 70-vjeçar ka kontakte më të ulëta dhe mundësi infektimi më të pakta se një 30-vjeçar që është gjithë ditën në aktivitet.

Vaksinimi do të bëhet falas zonja ministre?

Vaksinimi patjetër do të jetë falas për këto grupe që i quajmë grupet më vulnerabël, por unë si ministre do të dëshiroja dhe do të përpiqem që sido që të jetë vaksina, të jetë edhe në treg të lirë, njëlloj si vaksinat e tjera sezonale të gripit. Mendoj që nuk do të jetë e kushtueshme, po aq sa janë dhe vaksinat e tjera, rreth 10 euro. Pra, shumë qytetarë kanë plotësisht mundësi për ta blerë.

Zonja ministre, mendoni se mund të zgjasë epidemia?

Kjo është e vështirë të thuhet, sepse kjo epidemi - pandemi tashmë -ka shkallëzimin e saj. Një gjë është e sigurt: që kjo pandemi pati një shpejtësi të madhe të përhapjes më shumë se çdo grip tjetër, të cilit i është dashur të paktën 6 muaj të kalojë në fazën e pandemisë. Se sa do të zgjasë kjo pandemi, kjo është e vështirë të thuhet.

Nëse flasim gjithmonë me shifra, sa persona mund të preken nga ky grup në Shqipëri?

Më e keqja që thuhet nga OBSH-ja është që 1 ndër 5-6 persona, pra duket një shifër e madhe, por e mira është që një pjesë e madhe e personave që do të preken, ndoshta do ta kalojnë gripin edhe pa e kuptuar.

Në disa media është hedhur hija e dyshimit se tashmë rasti i parë në Shqipëri mund të jetë shfaqur, por priten përgjigjet e analizave. Sa e vërtetë është një gjë e tillë?

Personalisht, si punonjëse e vjetër në mjekësi, them se ka shumë mundësi që gripi të jetë edhe në Shqipëri, duke qenë se është edhe në vendet fqinje. Meqenëse është faza që vijnë shumë emigrantë, studentë, duket si e çuditshme që akoma në Shqipëri mos të kemi konfirmimin e rastit të parë. Pra, unë mendoj që gripin ndoshta mund ta kemi edhe në Shqipëri, por mund të jetë në forma të lehta. Megjithatë, sido që të jetë deri tani para 4 ditësh ne kemi marrë 70 mostra nga 70 persona të dyshuar dhe nuk ka rezultuar asnjë pozitiv. Së fundmi janë edhe disa persona ëto 2 ditë, 8 persona të dyshuar dhe presim përgjigjen deri nesër.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›