E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti i Durrësit shpërndan diplomat e para

Plot 160 studentët e parë të universitetit të Durrësit, "Aleksandër Moisiu", u diplomuan dje me diplomën e nivelit të parë. Në fund të katër viteve të studimit, studentët janë diplomuar në gjithsej 22 degë të këtij universiteti.

Në ceremoninë e ndarjes së diplomave ishin të pranishëm Kryeministri Sali Berisha dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja. Ceremonia është zhvilluar në Pallatin e Kulturës në Durrës. Duke përgëzuar të sapodiplomuarit, Kryeministri Berisha foli për vëmendjen e veçantë që qeveria i ka kushtuar dhe do t‘i kushtojë arsimit. Ai garantoi se qeveria do tё mbështesë Universitetin e Durrësit dhe të gjitha universitetet e vendit, për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetet e tyre, për degë të reja, laboratorë, mjedise, kampuse tё reja. Për zhvillimin dhe fuqizim e mëtejshëm të sistemit arsimor, Kryeministri Berisha kërkoi një angazhim më të madh të sektorit privat. Ai ftoi qarqet akademike të angazhohen në gjetjen e mekanizmave për rritjen e partneritetit me sektorin privat. Studimet universitare në universitetin "Aleksandër Moisiu" të Durrësit janë të krahasueshme me programet mësimore të universiteteve më të mira perëndimore. Diplomat ofrohen në dy gjuhë (shqip dhe anglisht) dhe notat shprehen në tri sisteme (shqiptar, amerikan dhe ai europian i Kartës së Bolonjës) për të krijuar lehtësi lexueshmërie, transferimi dhe vijimi të studimeve pasuniversitare në universitetet e tjera shqiptare, europiane dhe amerikane. Universiteti "Aleksandër Moisiu" përbëhet nga tre fakultete dhe një shkollë e lartë profesionale. Ai ka sot 3500 studentë dhe një personel akademik prej 180 pedagogësh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›