E Diel, 1 Nëntor 2026

Anila Godo denoncon krizën e ilaçeve: Pacientët e Onko- hematologjisë i blejnë privatisht ilaçet

Mungesën e medikamenteve në pavijonin e onkohematologjisë në QSUT e pranon dhe vetë shefja e shërbimit, Anila Godo. Gjatë një interviste për një prej mediave në vend Godo shprehet se prej kohësh medikamentët që kurojnë sëmundjet në këtë pavijon

nuk i mbulojnë dot nevojat e të gjithë pacientëve. Ajo shprehet se duhet një buxhet më i madh pasi ato janë tepër të kushtueshme. Të sëmurët venë dhe i blejnë në farmacitë e qytetit, kjo gjë ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë. Është e kotë ta fshehim derisa spitali të mos mbulojë të gjitha medikamentet. Nuk mund të mos bësh skemën e mjekimit plotësisht siç duhet. Një cikël i tërë mund të kushtojë 20 mijë lekë, mund të kushtojë 200 mijë lekë, varet thotë Godo. Ndërkohë, shefja e onkohematologjisë shprehet se  sëmundjet e gjakut në të gjithë botën kanë një tendencë në rritje, ndërkohë që edhe në Shqipëri në pavijonin që ajo drejton ka raste të reja çdo vit. Për patologji të ndryshme nuk mund të thuash shifra në total sepse shifrat i përkasin patologjive të ndryshme. Shifrat kryesisht i masim me raste të reja në vit. Për leukozat mund të kemi rreth 30-40 raste të reja në vit. Nga tumori i veshkës, nefloblastoma, kemi rreth 6-8 raste të reja në vit thotë Godo. Vetëm disa javë më parë, drejtori i QSUT deklaroi se nga tenderat që po zhvillohen do të sigurohen rreth 60% më shumë citostatike, për repartet onkologjike, por jo në masën 100%, çka tregon se për pacientët sërish do të ketë mungesa ilaçesh. Spitalet e QSUT-së kanë ndjerë për disa kohë mungesën përveçse të ilaçeve edhe të mjeteve elementare që nevojiten për pacientet. Pacientet e shërbimit onkologjik, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", vazhdojnë ankesat e tyre, për mungesë ilaçesh. Ata thonë që shumica e tyre mungojnë, dhe e vetmja zgjidhje qe iu mbetet është të drejtohen rreth farmacive, të spitalit, për të blerë medikamentet të cilat janë tepër të kushtueshme. Në pavijonin e pediatrisë, prindërit janë detyruar të blejnë edhe termometër, ndërkohë pas injeksioneve përdoren fasho me alkool në vendin e shpuar, pasi nuk ka pambuk. Mungesën e disa prej medikamenteve në shërbime të veçanta e ka pranuar dhe vetë kreu i QSUT-së, Ilir Dashi, i cili e justifikon mungesën me vonesat e tenderave për medikamentet. "Këto ditë jemi në fazën e lidhjes së kontratave me të gjithë firmat farmaceutike, që do të thotë furnizim i menjëhershëm me ilaçe sipas listës së përcaktuar. Citostatikës, sipas listës së onkologjikut janë 60 për qind më shumë se çdo tip tjetër historik në këtë spital", thotë Ilir Dashi, drejtor i QSUT-së. Rreth 60 për qind e buxhetit të QSUT-së këtë vit do të përdoret për barna, ndërkohë që paketa bazë e barnave, është 40 për qind më e rritur.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›