Altin Koruti dhe Bledi Latifi: Pas dy dekadash, sfida jonë me Zorbën në skenën shqiptare
Janë dy nga emrat më të njohur të balerinëve shqiptarë, që po ndezinjo vetëm skenën greke, por dhe atë botërore. Dy balerinët e njohur Altin Koruti dhe Bledi Latifi kanë gati dy dekada që janë larguar në drejtim të shtetit grek, ku atje ata kanë një karrierë të suksesshme,
duke u cilësuar si balerinët më të talentuar të teatrit të Athinës. Të ftuar për të qenë pjesëmarrës në baletin Zorba, që do të vihet së shpejti në skenë nga koreografi Arjan Sukniqi, të dy artistët shqiptarë rrëfejnë në këtë intervistë se ftesa e bërë u ka ngjallur shumë emocione. Ata e konsiderojnë si një kthim pas në vitet ku së bashku me emra të tjerë të talentuar si Ilir Shaqiri, Nard Xhokaxhi, etj, edhe ata të dy kishin një karrierë artistike në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Ishin pikërisht vitet 90, kur të dy balerinët e talentuar shqiptarë kërkonin që aftësitë e tyre artistike ti shfaqnin dhe në skena të tjera. Vendi i parë që i priti u bë Greqia, ku ashtu si dhe shumë shqiptarë të tjerë edhe ata mes shumë vështirësive arritën që falë punës dhe talentit, por dhe pasionit për profesionin të ndërtojnë një emër artistik, duke u renditur përkrah emrave më të njohur të artit grek. Kthimi në atdhe për ata, është njëkohësisht edhe një kthim pas në kohë. Në këtë intervistë mes të tjerave ata kujtojnë dhe shkollën e baletit. Tek ajo godinë nisi gjithçka për ata të dy. Sot të dy miq dhe kolegë, ritakojnë edhe njëherë të shkuarën e tyre në TKOB. Altin Koruti dhe Bledi Latifi, një produkt i shkollës shqiptare të baletit, arritën të bëjnë në Greqi atë që dhe Kledi Kadiu, Ilir Shaqiri apo të tjerë shqiptarë të suksesshëm në balet treguan në një shtet tjetër fqinj, në Itali. Me shfaqje të rëndësishme të vëna në skena të rëndësishme të baletit në Greqi, si në Akropol apo në Teatrin e Operës dhe Baletit të Athinës, Altin Koruti dhe Bledi Latifi janë shndërruar në një pikë referimi atje për shqiptarë të tjerë, që luftojnë të ndryshojnë imazhin e dikurshëm. Ata tregojnë se prapa çdo suksesi qëndron një punë e gjatë dhe e lodhshme.
-Si nisi karriera juaj në Tiranë me baletin dhe si përfunduat në Greqi?
Altini- Në vitin 1990 unë mbarova shkollën e baletit dhe më pas u futa si solit në TKOB këtu në Tiranë, veprimtaria ime në Tiranë ishte rreth dy vjet, ku unë kërceva role si Toreodori tek baleti Don Kishoti, tek Zhizel, por dhe shumë role të tjera që i kam realizuar para shumë vitesh në skenën e TKOB. Më pas vendosa që të kërkoja diçka më të mirë për karrierën time dhe unë shkova në Greqi. Atje në fillim ishte shumë e vështirë, por derisa ne njohëm rrethin kërcimtarëve vazhdoi kjo gjë, më pas gjërat ndryshuan duke u përmirësuar. Në vitin 1993 unë arritja të hyja si kërcimtar në TOB të Athinës, ku në vitin 1995 unë arrita që të bëhesha solist në këtë teatër dhe deri tani unë vazhdoj të kërcej pranë këtij teatri, por kam dhe angazhime të tjera jashtë Greqisë. Në operën e Athinës unë kam shumë role kryesore, nuk kam pasur rastin që unë të vij në Shqipëri megjithëse dëshira jonë ka qenë gjithmonë që të kërcenim një balet në TKOB në Tiranë, por nuk kishim mundësi. Para pak kohësh neve na telefonoi titullari i TKOB z. Zhani Ciko për të qenë pjese e kësaj shfaqjeje baleti dhe na tha që ne të interpretonim në baletin Zorba, nëse ne do të kishim mundësi. Kjo ishte shumë emocionuese dhe për ne, pasi ne mezi i prisnim këto ftesa të bëra nga teatri i operës. Mbaj mend që nuk më zuri gjumi 2-3 ditë nga emocionet, që ne do të vinim të kërcenim këtu në operën, ku unë kisha nisur dhe karrierën time si balerin, që më sjell ndër mend kujtime shumë të bukura. Koreografin e njohur Arjan Sukniqi unë e njoh personalisht edhe që në hapat e mia të para që unë kam qenë këtu në Tiranë i kam parë shumë punë të tij të vëna në skenën operistike, sa i takon shfaqjeve të baletit. Për mua koreografi Arjan Sukniqi bën punë shumë të mira dhe për mua ishte kënaqësi që të jem pjesë e këtij baleti kaq të bukur. Bledi-Shumicën e historisë sonë e tregoi Altini, por megjithatë unë doja të thosha që ftesa që na bëri zoti Zhani Ciko dhe koreografi Arjan Sukniqi ishte një rikthim shumë emocionues në vitet tona këtu në Tiranë. Kjo ftesë na zgjoi kujtimet e hapave të para që ne filluam të kërcenim si balerinë në skenën shqiptare. Jemi nxënës të shkollës artistike Jordan Misja dhe ne kemi mbaruar në këtë shkollë, ku kanë dalë shumë talente në shumë fusha të artit, që sot pa dyshim që po njohin një sukses në skenat botërore. Koha që unë punova pranë TKOB ka qenë më e paktë se e Altinit, sepse vazhdoi largimi për në Greqi. Si gjithmonë fazat e fillimit janë shumë të vështira për secilin, që shkon për herë të parë në një vend tjetër dhe kërkon që të integrohet me jetën, shoqërinë, por dhe të fillojë sërish profesionin e tij, që ne ishim balerinë. Ne ia arritëm që të siguronim të gjithë këtë vetëm me anë të zotësisë sonë, falë talentit dhe punë sonë që ne bëjmë me baletin. Kur arritëm atje ne u ambientuam shumë shpejt. Njohëm mjedisin, njerëzit, që ne na ndihmuan shumë dhe na vunë në vendin e caktuar atje. Në atë vend që ne e meritojmë.
-Si ka qenë jeta juaj artistike në Greqi?
Altini-Baleti Zorba është një balet që ne e kemi kërcyer në Greqi dhe ai është mirëpritur jo vetëm në skenën greke, por dhe në të gjithë botën. Është një balet, i cili ka gjetur një sukses në skenat botërore. Ne me Zorbën kemi shkuar dhe në Australi, Turqi, Egjipt, etj ku ka pasur një sukses shumë të madh. Jam shumë i sigurt që edhe këtu ai do të ketë një sukses shumë të madh. Ky është një balet me karakter dhe ka tre pjesë, ka dhe opera që do të këndojë kori po ashtu është dhe një muzikë shumë e bukur që vjen nga Miki Theodorakis. Në Greqi kemi një jetë artistike shumë të pasur dhe kemi shumë interpretime, role të ndryshme në shumë shfaqje baleti.
Bledi-Rolet që ne kemi realizuar në skenën greke janë të shumta, janë aq shumë sa është vështirë që ti mendosh. Unë për disa kohë në fakt u largova dhe nga Greqia për të punuar në Kanada. Kjo u arrit falë ftesës që më bëri drejtori i operës Kanadeze. Ai kishte bashkëpunuar me teatrin grek dhe kështu u mundësua dhe vajtja ime për një periudhë kohore atje. Për mua ajo ishte një eksperiencë e madhe. Ne jepnim shfaqje me trupën jo vetëm në Kanada, por thuajse në të gjithë skenat e Evropës. E gjitha kjo ndikoi shumë dhe në plotësimin tim si artist. Për shkak të disa arsyeve familjare unë u riktheva sërish në Greqi. Nga ajo kohë dhe deri tani ne vazhdojmë karrierën tonë si solistë në Teatrin e Operës së Athinës. Ftesa që na u bë nga zoti Zhani Ciko ishte një sadisfaksion shumë i madh për të dy ne. Në kishim një dëshirë shumë të madhe për tu kthyer në skenën shqiptare, për të kërcyer sërish në TKOB. Kjo ka qenë një ëndërr e parealizuar, që tani u realizua dhe e bëmë realitet. Tani jemi këtu dhe po punojmë për baletin Zorba.
-Në këtë produksion kaq të madh të TKOB, Zorba, ju vini me dy role kryesore, që janë Xhon shkrimtari që përfaqëson intelektualët dhe Zorba personazhi tjetër kryesor. Si do të vijnë këto dy personazhe në skenën shqiptare?
Altini- Personazhi i Zorbas është një personazh karakter. Ai është një i moshuar që në Kretë nuk është nga ata fshatarë, që kanë mbetur, por kanë bredhur botën. Ai është një njeri, që ka dalë në botë dhe atje në Greqi ai është pak ndryshe si rol, por mua më pëlqen se koreografi Arjan Sukniqi e ka bërë pak ndryshe, më pëlqen shumë kjo koreografi që vjen në skenën shqiptare. Këtë rol unë e kam bërë dhe atje, por këtë herë do të jetë një Zorba ndryshe nga sa ka qenë në skenën greke. Zorba është heroi popullor i Kretës.
Bledi-Unë tek kjo shfaqje baleti kam personazhin e shkrimtarit Xhon. Ky shkrimtar anglez përfaqëson dhe mishëron kureshtjen e perëndimit për të zbuluar traditat dhe vlerat e pasurisë të Kretës, ku zhvillohet e gjithë historia. Aty është dhe njohja e tij me Zorbën dhe kontradiktat që ky shkakton gjatë prezencës së tij në Kretë, sidomos rënia në dashuri me një nga vajzat në