Aristokratet e reja amerikane
Ato nuk janë aq të njohura sa Paris Hilton apo Lindsay Lohan, por janë po aq të pasura, bukuroshe dhe mendjemëdha sa ato. E kemi fjalën për aristokratet e reja amerikane që vijnë nga familje të fuqishme amerikane, kanë llogari të majme bankare dhe nuk u intereson fare ajo çka ndodh përreth tyre. Ato pozojnë për revistat më në zë të modës dhe blejnë veshje që kushtojnë mijëra dollarë. Ky është brezi i ri i aristokrateve amerikane. Duke nisur nga fundi i viteve 1900, të hyje në regjistrin social të Nju Jorkut do të thoshte t’i përkisje listës së grave më të pasura dhe më të admiruara të shoqërisë amerikane. Një skandal ose një zgjedhje karriere e gabuar dhe emri i damës fshihej. Megjithatë, më shumë se 100 vjet më vonë gjërat duket se nuk kanë ndryshuar kushedi se sa. Tani gabimet e pakorrigjueshme janë të veshësh një fustan të gabuar ose të tregosh mungesë personaliteti. Në përgjithësi, "mbretëreshat" njujorkeze vijnë nga një grup i vogël familjesh "old money", që e trashëgojnë fuqinë nga një brez në tjetrin. Janë Lidia, Amanda e Gillian Hearst, Fabiola Beracasa, Tinsley, Olivia Chantecaille e Minnie Mortimer, Dabney Mercer, Lauren Du Pont, Aerin Lauder, të cilave u është shtuar edhe mikesha italiane, Margherita Missoni. Për të mësuar gjithçka mbi jetën, kënaqësitë, takimet, mjafton të lexosh faqet e ‘socialiterank.com’, regjistri i ri social i Nju Jorkut. Faqja e internetit, që i ndjek në çdo hap që bëjnë, publikon fotot e tyre para se mbrëmjet të kenë mbaruar. Për më shumë, kjo faqe interneti çdo dy javë stilon klasifikimin e 25 të parave më me influencë për të kurorëzuar damën më të mirë të shoqërisë. Për të fituar duhet patjetër të dukesh sa më mirë. Fushat e "betejës" janë faqet e revistave, "Vogue" dhe "Harper‘s Bazaar" në radhë të parë, pastaj edhe sajte si ‘nysocialdiary.com’, ‘gawker.com’, ‘socialitelife’ dhe ai i fotografit më të madh njujorkez, Patrick McMullan. Në krye është Fabiola Beracasa, "kjo falë stilit të saj gjithmonë perfekt, popullaritetit të madh dhe paraqitjes në të gjitha ngjarjet", shkruhet në sajt. Javën e kaluar, fotoja e saj ishte në faqen e parë të rubrikës "Style" të prestigjiozes "New York Times". E lindur në Karakas, Venezuelë, nga vejusha e miliarderit Randolph Hearst, tridhjetekatërvjeçarja Beracasa ka 14 dollapë plot me veshje, ka punuar për "Dior" dhe është drejtoreshë krijuese e shoqërisë së bizhuterive "Jewelry". Në numrin e fundit të "Harper‘s Bazaar" shfaqet mes grave shik, që tregonin se çfarë do të dhuronin dhe se çfarë donin të merrnin si dhurata për festa të rëndësishme. Pak faqe më tutje spikasin dy fotot e mikeshës së saj më të mirë dhe konkurrentes numër dy në klasifikimin e ‘socialiterank.com’, Tinsley Mortimer. "Kujtoj herën e parë që u shfaqa te ‘Vogue’: kisha veshur një fustan të kuq të ‘Givenchy’. Ishte fantastike, vdes t’i shoh fotot e mia nëpër revista", ka deklaruar gjatë festës për prezantimin e linjës së çantave të dizajnuara nga ajo për shtëpinë e modës japoneze "Samantha Thavasa". Sepse, një emër i famshëm është gjithmonë një mjet për të bërë publicitet dhe për të krijuar një treg me produktet e tua, siç kishin bërë në vitet ‘70 Gloria Vanderbilt dhe Diane von Farstenberg. Tinsley Mortimer është rritur në Virxhinia, pasardhëse e Thomas Jefferson dhe është e martuar prej katër vitesh me financierin Robert Mortimer, stërnip i John Jay dhe trashëgimtar i gjigantit të naftës, "Standard Oil".
Vetëm 35 vjeçe, pesë vjet më vonë, pas fotos së parë në "Vogue", që shënoi debutimin e saj në shoqëri, ndodhet në kulmin e popullaritetit. Lydia Hearst-Shaw, e treta në klasifikim, është vajza e trashëgimtares së famshme Patty Hearst, e cila ka përfunduar në faqet e para të gazetave të të gjithë botës për vjedhjen e saj në vitet ‘70. është vetëm 25 vjeçe, por është shfaqur në fushatat publicitare të Louis Vuitton, Prada e Bottega Veneta si modele. Kushërira e saj, Amanda, këtë javë në numrin nëntë të listës, ka të njëjtën moshë me të, të njëjtët sy bojëqielli dhe flokë bionde. është imazhi i koleksionit të linjës "Lilly Pulitzer" dhe sipas revistës së famshme "Harper‘s Bazaar", shpenzon 90 mijë dollarë në vit për pushimet. Fusha ku "lëvizin" këto mbretëresha është ajo e modës, marrëdhënieve publike ose ajo e bukurisë. Por disa nuk i kanë rezistuar edhe tundimit për televizionin: kështu, në përgatitjet e një seriali të ri televiziv, që do të titullohet "Social life", jepet historia e një përfaqësueseje të shoqërisë së lartë, që përballet me një gazetar skandalesh, i cili dëshiron t’i nxjerrë të "palarat" në shesh. Në provimin për pjesën e protagonistes u ftuan Fabiola Beracasa, Tinsley Mortimer, Gillian Hearst-Shaw, Keira Chaplin dhe Melissa Berkelhammer. Zgjedhja nuk është bërë akoma, por shumë veta kanë hapur fjalë mbi vendimin për të përfshirë 29-vjeçaren Berkelhammer mes kandidateve të mundshme. është e vërtetë që vajza e një psikiatri jeton në një nga lagjet elitare "Park Avenue", e cila nuk e nget kurrë makinën, vesh "Cartier", "Hermes", "Chanel", "Jimmy Choo" dhe "Pucci" ka studiuar në Princeton dhe Harvard, merret me sport dhe frekuenton të gjitha veprimtaritë e bamirësisë, përveçse fotografohet në çdo festë të rëndësishme. Megjithatë, thuhet se ka paguar që të arrijë të hyjë në këtë rreth personash.
#