Gjumi, cilësia, jo sasia kanë rëndësi
Të flesh, apo të mos flesh, kjo është çështja. Por pyetja tjetër e radhës është të flesh shumë apo pak? Në botën e sotme, kur njerëzit janë plot ankth, stres dhe kanë shumë pak kohë për çdo gjë, përfshi edhe gjumin, kohëzgjatja e tij është shumë e rëndësishme dhe një çështje që po diskutohet gjithnjë e më shumë. Si pasojë, shumë personave u janë reduktuar ndjeshëm orët e gjumit dhe jo rrallë ata janë të shqetësuar për këtë gjë. Zakonisht dihet që 8 orë gjumë janë të nevojshëm për organizmin tonë që të çlodhet dhe të rimarrë veten. Në fakt, sipas disa studiuesve, si në çdo gjë edhe në rastin e gjumit nuk është shumë e rëndësishme sasia, por cilësia e veprimeve, në këtë rast gjumit. Në fakt për gjumin dhe mënyrën e bërjes së tij nuk ka shumë informacione dhe njerëzit mundohen t’i zgjidhin vetë të gjitha problemet, që nga ato të mungesës së gjumit, të mbingopjes, apo të gjumit të keq. Sipas një sondazhi të fundit, në vendet e Europës Perëndimore janë shtuar rastet e individëve që kanë probleme me gjumin. Një pjesë gjithnjë e më e madhe e tyre janë shndërruar në vartës, apo përdorues të rregullt të tabletave nga më të ndryshmet, të cilave ua besojnë “suksesin” e orëve të natës. Sipas psikologëve, një pjesë e madhe e “fajit” është shkaktuar nga përjetimet e njerëzve në mesin e krizës ekonomike, nga humbjet e pësuara dhe mbi të gjitha nga situata e frikës dhe e pasigurisë për vendin e punës, për mirëqenien personale dhe të ardhmen e fëmijëve. Për sa u përket tabletave të kohëve të fundit, që ndihmojnë në përmirësimin dhe sjelljen e gjumit, ato krijojnë më pak varësi nga tabletat e kohëve më parë, që e kishin më të lartë këtë efekt anësor, megjithatë nuk janë tërësisht të shkëputura nga një ndikim i tillë. Kjo i ka bërë mjekët të jenë më dorëlëshuar në mbushjen e recetave për njerëzit që kërkojnë përmirësimin e gjumit përmes mjekimeve. Megjithatë, për ata që duan ende të provojnë me forcat e tyre arritjen e një gjumi të shëndetshëm, është e rëndësishme që të dinë se jo domosdoshmërish duhet të flenë 8 orë për të qenë në formë dhe në balancë me ritmet e organizmit. Sipas psikologëve, është shumë normale të të dalë gjumi herët në mëngjes, sepse kjo jo gjithmonë do të thotë se ke bërë gjumë të keq, apo ke ndonjë problem që nuk të lë të zgjohesh në një orë të vonë. Po kështu edhe studentët mund të jenë shumë të freskët dhe të përqendruar në një provim të tyrin, edhe nëse nuk kanë vënë gjumë në sy një natë më parë. E njëjta gjë vlen edhe për futbollistët, të cilët mund të ankohen për gjumin e keq, apo për pagjumësinë e natës para ndeshjes së rëndësishme. Edhe nëse nuk arrijmë të bëjmë një gjumë të mirë, apo siç e quajmë të plotë para një dite të rëndësishme e të mbushur me emocione, i kemi të gjitha mundësitë të arrijmë rezultatet maksimale. Në këtë këndvështrim mund të thuhet se edhe një gjumë i shkurtër, por i bërë në mënyrën e duhur, është më se i mjaftueshëm për të na dhënë forcë dhe qetësi në ditën në vijim. Por cilat janë disa nga çelësat e suksesit të një gjumi të tillë të shkurtër, por efikas? Ja disa këshilla, që nëse do të ndiqeshin do ta përmirësonin shumë cilësinë e gjysmës së jetës sonë.
DietaTë mos ngrënët para gjumit të darkës është më pak e rëndësishme nga sa mund të kemi mësuar apo nga sa mund të na janë thënë deri më tani. Ai që është me të vërtetë i rëndësishëm është mëngjesi dhe koha e vakteve. Të ngrënët në një kohë relativisht të njëjtë të të gjitha vakteve dhe mostolerimi i mëngjesit kushtëzon sistemin e metabolizmit dhe si pasojë edhe gjithë sistemin e gjumit dhe zgjimit të tij. Deri më tani i është dhënë një rëndësi shumë e madhe mosngrënies së një sasie të madhe ushqimi në darkë, para gjumit, për shkak të rëndimit të stomakut e si pasojë shtimit të problemeve në shtrat. Por, në fakt, ngrënia e mëngjesit ka më shumë rëndësi. Kjo, sepse mëngjesi është një hapësirë kohore në të cilën i jepet trupit një mesazh i rëndësishëm, ai që trupi tashmë në fillim të aktivitetit të ditës ka sasinë e nevojshme dhe të mjaftueshme të ushqimit, e si pasojë energjinë për të përballuar të gjitha sfidat mendore ose fizike të punës apo lëvizjes.
KohëzgjatjaIsh-kryeministrja britanike thoshte shpesh se kishte nevojë vetëm për 4 orë gjumë për t’u çlodhur dhe për të rimarrë veten. Të tjerë thonë se kanë nevojë patjetër për të paktën 8 orë gjumë. Gjumi në fakt, si çdo gjë tjetër, varet shumë nga situata individuale në të cilën ndodhet çdo organizëm. Kështu për shembull, futbollistët që bëjnë një stërvitje të rëndë dy herë në ditë kanë nevojë për një pushim më të gjatë se të tjerët të themi për një gjumë dy herë në ditë. Gjithçka është personale dhe nuk mund të konsiderohet një individ problematik se fle 8, apo edhe në të kundërtën 4 orë.
Fuqia e dremitjesçurçilli nuk parapëlqente të flinte gjumin e thellë të zakonshëm, por ai preferonte të dremiste. Përgjumja shpesh është më e fuqishme dhe më relaksuese se gjumi vetë. Ajo na ndihmon të qetësohemi dhe të kthjellohemi më shumë se një gjumë i thellë dhe i gjatë. Efekti i saj është shumë qetësues mbi trupin dhe mendjen, kryesisht mbi muskulaturën. Shpesh është paradhomë e gjumit, por ka edhe raste kur mbetet vetëm një dremitje që konsiderohet nga organizmi si e mjaftueshme për të pushuar.
ëndërrimiëndrrat kanë një rol të rëndësishëm në kategorizimin e kujtimeve. Madje edhe ato ëndrra që i konsiderojmë makthe mund të jenë të dobishme dhe duhet që të përballemi me to, duke qenë se mund të na ofrojnë çelësat në lidhje me problemet që kemi.
#