E Shtunë, 31 Tetor 2026

Anisemitizmi në parlamentin hungarez

Deputeti hungarez nga partia e të djathtës ekstreme Jobbik, Zsolt Barath, u detyra të japë dorëheqje, pasi që në parlamentin e vendit mbajti një fjalim skandaloz anisemitist, i cili nxiti reagime të ashpra.

Në fjalimin e tij Barath kritikoi aktgjykimin pë rastin e njohur të shekullit të 19, kur disa çifutë u shpallën të pafajshëm për vrasjen e një fshatareje hungareze. Ky aktvendim asokohe nxiti antisemitizmin në Hungari, dhe rezultoi me trazira nëpër shumë qytetet e vendit.

Derisa po merrje me këtë rast, deputeti hungarez nga radhët e të djathtës ekstreme nënvizoi se gjykatësi kishte dëshmuar fajësinë e të akuzuarve, por i ishte nënshtruar presioneve dhe i kishte liruar ata, për të shmangur që “financuesit ndërkombëtarë ta linin Hungarinë në baltë, për ç’shkak ajo mund të bankrotonte”.

Deputeti Janos Fonagy, nga partia Fides në pushtet, e akuzoi Barath’in, duke pohuar se me fjalimin e tij ai hapi “plagët e vjetra shekullore”.

Dy partitë opozitare, Politika Mund të Jetë Ndryshe dhe Partia Socialiste, bënë thirrje që Barath të japë dorëheqje.

"S’mund të tolerojmë asnjë fije antisemitizmi mes mureve të parlamentit”, thuhet në kumtesën e partisë Politika Mund të Jetë Ndryshe, e cila fjalimin e Barath e cilëson si “një provokim që rrejshëm prezantohet si leksion historik”.

Rabini Slomo Koves, nga Kongregacioni i Bashkuar Çifut i Hungarisë, deklaroi se Barath do të duhej të dëgjohej nga komiteti parlamentar për etikë.

"Për çdo ditë po bindemi se ka rritje të fjalimeve të pavenda, raciste dhe antisemitiste, të cilat po lejohen në parlamentin hungarez”, theksoi ai.

"Sipas vlerësimit tonë, serioziteti i situatës për demokracinë hungareze është i paprecedent në dy dekadat e fundit. Antisemitizmi ka eskaluar deri në atë pikë saqë më s’mund të injorohet nga asnjë person”, sqaroi tutje Koves.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010 partia Jobbik fitoi 17 përqind të votave, duke u bërë partia më e madhe opozitare pas Partisë Socialiste. Popullariteti i Jobbik bazohet mbi mesazhet ekstreme nacionaliste, me primesa të fuqishme antisemitiste, dhe mbi qëndrime negative ndaj romëve.

Vlerësohet se gjatë Holokaustit të Luftës së Dytë Botërore janë vrarë afro 550,000 çifutë hungarezë. Nga 10 milionë banorët e sotëm të Hungarisë, 100,000 janë çifutë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›