Aniston: “Sjellja e Zholisë, e pahijshme”
Pasi ka folur për raportet e mira që vazhdon të ketë me ish-bashkëshortin Bred Pit, Xhenifer Aniston ka shpërthyer në kritika ndaj Anxhelina Zholisë, femrës që vodhi zemrën e atij që donte më shumë. Në një intervistë për “Vogue”, Aniston ka rrëfyer për ndarjen me të shoqin. Ajo e cilësoi të pahijshme lidhjen e dy aktorëve, pasi ajo ndodhi në një kohë kur Pit ishte ende i martuar me të dhe ajo nuk ishte aspak në dijeni për atë që po ndodhte. “Nuk ishte e nevojshme që Zholi të diskutonte nëpër revista disa detaje, si: sesi ajo mezi priste të shkonte në punë gjatë xhirimeve të filmit ‘Mr Smith’. Mund të tregohej më e matur”,- tha Aniston. Aktorja pohoi se ende flet me Bredin dhe sipas rastit edhe përshëndeten. “Nuk ndiej gjë tjetër veç admirimit për të, jam krenare për të. Pasi u ndamë ne flisnim në telefon dhe bisedonim shumë gjatë me njëri-tjetrin për disa gjëra. Që atëherë kemi pasur një ngrohtësi dhe respekt të pabesueshëm për njëri-tjetrin”, - ka shtuar Aniston, e cila për momentin është e lidhur me këngëtarin Xhon Majer.
13 Nentor 2008