Ankandet e bonove të thesarit, tani në
Bankat e nivelit të dytë tani do të kenë mundësi të marrin informacion mbi interesat e shitjes së tregut të letrave me vlerë në kompaninë “Reuters”. Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe kompania “Reuters” mbas një bashkëpunimi të ngushtë prej një viti, kanë realizuar me sukses projektin e informatizimit të lëvizjes së informacionit, që lidhet me zhvillimin e ankandeve të tregut primar për shitjen e letrave me vlerë të qeverisë Shqiptare. Realizimi i këtij projekti minimizon kohën që nga momenti i paraqitjes së kërkesave të bankave për pjesëmarrje në ankand, deri në njoftimin e rezultateve të tij, lojtarëve të tregut. “Thënë ndryshe kohës së lëvizjes fizike të dokumentacionit i ka ardhur fundi”, është shprehur Guvernatori i BSH, Ardian Fullani. Banka e Shqipërisë si organizuese e ankandeve dhe Ministria e Financave si emetuese e letrave me vlerë, kanë mbajtur parasysh standardet e vendeve më të zhvilluara. Projekti i informatizimit parashikon marrjen e kërkesave nga bankat jo në formë fizike, por në rrugë elektronike. Kjo formë e lëvizjes së informacionit mënjanon regjistrimin manual të kërkesave, shkurton kohën për regjistrimin e tyre, rrit sigurinë dhe saktësinë e regjistrimeve, duke siguruar në fund të këtij procesi zvogëlimin e rrezikut operacional si dhe kohën e nevojshme për përpunimin e këtij informacioni. Më pas Ministria e Financave, pas përpunimit paraprak të informacionit të dërguar nga pjesëmarrësit në tregun primar, ka mundësi që ta sigurojë këtë informacion gjithashtu, në formë elektronike. Sigurimi i këtij informacioni në këtë formë shkurton kohën e domosdoshme, që Ministria e Financave të informohet nëpërmjet lëvizjes fizike të dokumenteve. Ministria e Financave, pas marrjes së vendimit prej saj, ka gjithashtu mundësi që ta transmetojë këtë vendim po në formë elektronike, duke kontribuar më tej në zvogëlimin e kohës për informimin e tregut lidhur me rezultatin e ankandit. I gjithë procesi i përshkruar në tre fazat e mësipërme në kushtet aktuale kërkonte rreth 5-6 orë, ndërsa me zbatimin e këtij projekti synohet që kjo kohë të shkurtohet deri në 1 orë. Banka e Shqipërisë, nëpërmjet REUTERS-it e shpërndan këtë rezultat në bankat e nivelit të dytë, që janë për momentin blerësit kryesorë të këtij tregu. Marrja e informacionit të mësipërm në një kohë më të shkurtër, iu krijon më shumë mundësi bankave të nivelit të dytë për të administruar më me efiçencë fondet e tyre të lira. Rritja e kësaj efiëencë është një hap më shumë në drejtim të krijimit të parakushteve për zhvillimin e tregut të parasë dhe atij të letrave me vlerë.