Festime të shtrenjta-Bollokumi shitet 1500 lekë
Ballokumi shqiptar është shitur dje 1.3 euro. Në krahasim me një vit më parë çmimi ka qenë 500 lekë më shumë
Gjatë festimit të ditës së verës shumë qytetarë nuk kanë mundur të blejnë ëmbëlsirën tradicionale ballokumin. Pavarësisht etiketave joshëse të vendosura nga tregtarët “ballokum elbasani” çmimi i lartë i shitjes së tij ka stepur qytetarët. Pra gjatë ditës së djeshme në tezgat e improvizuara të tregtarëve ballokumi është shitur 1500 lekë të vjetra. E konvertuar në monedhë të huaj i bie që ballokumi shqiptar të jetë shitur dje 1.3 euro. Po ashtu në krahasim me një vit më parë ballokumet janë shitur 1000 lekë të vjetra, kurse për këtë vit çmimi ka qenë 500 lekë të vjetra më shumë. Kjo rritje e lartë e çmimit, pranohet edhe nga vetë shitësit të cilët pa u frikësuar pohojnë se “është rritur kostoja e përgatitjes”. E duke u nisur nga pakënaqësitë e blerësve e ca nga shpenzimet e tyre, tregtarët kanë renditur faktorët e çmimit të lartë të ballokumit, si rritjen e çmimit të energjisë, miellit, vajit dhe sheqerit. E teksa shumë qytetarë ngurrojnë të blejnë ëmbëlsirën e festës së verës, nuk hezitojnë të pëshpërisin se çmimet e larta nuk po ju ndahen. Shumë prej tyre edhe pse nuk kanë “marifetin” e pastiçierve me pak “nikoqirllëk” kanë zgjedhur të përgatisin vetë në shtëpi ëmbëlsirën. Pra shumë pak qytetarë kanë mundur të shijojnë këtë vit ëmbëlsirën e festës tradicionale. Për këtë vit gjithashtu qytetarët janë përballur me çmime shumë më të larta se vitin e kaluar. Festimet e ditës së verës përveç shëtitjeve të gjata në bulevard dhe shijimit të muzikës së koncerteve janë shoqëruar me çmime të larta. Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore nuk ju kanë dhënë mundësi shumë shqiptarëve që drekën e ditës së verës ta kishin me asortimente të ndryshme. Por edhe kësaj radhe tregtarët të shqetësuar për shkak të rënies së xhiros së tyre, pohojnë se rritja e çmimeve ka ardhur si rezultat I mallrave të importit. Nga njëra ana edhe shtrenjtimi i monedhës evropiane euro ku ajo dje është konvertuar në 124.60 lekë, ka ndikuar në rritjen e çmimeve të mallrave ushqimorë. Por e gjitha kjo situatë zinxhir nuk përcillet tjetër vetëm në rritjen e shpenzimeve të buxhetit familjar. Nuk duhet harruar fakti që muaji mars ka qenë muaji më i shtrenjtë për shqiptarët, ku ata u përballën me rritjen e çmimit në masën 71 për qind ose 5 lekë /kilovati, rritjen e çmimit të naftës me 5 lekë/litri dhe në fund rritjen e çmimit të gazit të lëngshëm në 10 lekë për litër. Rritja e çmimeve gjatë ditës së djeshme është reflektuar edhe te frekuentimi I pakët I restoranteve. Në krahasim me një vit më parë qytetarët kanë preferuar të mos ju drejtohen restoranteve për festimin e ditës së verës. Shkaku edhe kësaj radhe mbetet çmimet e larta dhe pamundësitë financiare të tyre. Frekuentimi i ulët pohohet edhe nga drejtuesit e disa prej restoranteve më me zë në vendin tonë.