Hetime për tenderin e sheshit qendror
BURREL – Procedurat dhe materialet e përdorura për rikonstruksioni e qendrës së qytetit të Burrelit prej tre ditësh janë objekt i një hetimi të prokurorisë. Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, për abuzime me fondet e buxhetit të shtetit gjatë rikonstruksionit të sheshit qendror të qytetit të Burrelit, vë në lëvizje strukturat hetimore. Burime pranë prokurorisë së Matit pohojnë zyrtarisht, se prej tre ditësh ka nisur hetimi për shkeljet financiare në fondit 62.066.277 lekë të akorduar për rehabilitimin e qendrës së qytetit, e cila rreth dy vjet pas rikonstruksionit është kthyer sërish në gjendjen fillestare. Një nga faktorët e dëmtimit të pjesës së rikonstruktuar, edhe pse është investuar një shumë e konsiderueshme parash është ndryshimi i llojit të pllakave me anën e një marrëveshje dypalëshe mes firmës që zhvilloi punimet dhe kreut të bashkisë Burrel. Një fakt i tillë del qartë edhe nga raporti i KLSH-së, i cili tashmë është administruar në dosjen hetimore. Sipas këtij raporti, që i referohet tenderit të datës 30 gusht 2004, me objekt “Sistemim-asfaltim rruge në Burrel, faza e parë”, vlera e të cilit ishte 25 milion lekë. Ky tender është pasuar nga një i dytë me vlerën e 37.066.277 për rikonstruksionin e qendrës së qytetit. Nga kontrolli i ushtruar rezultoi se në tenderin e dytë është abuzuar me ndryshimin e pa motivuar të materialeve të përdorura, çka ka sjellë dhe prishjen e pjesës së rikonstruktuar vetëm pak kohë pas përfundimit të punimeve. Sipas Prokurorisë, rezulton se “sipas projekt-zbatimit dhe preventivit, është miratuar shtrimi i sheshit me sipërfaqe 4212 m2, me pllaka bituminoze mbi shtresë rëre, ndërkohë që në preventivin pjesor të hartuar nga inxhinieri Përparim Cani dhe i miratuar nga investitori, kryetari i bashkisë Burrel, Skënder Lleshi, pllaka bituminoze janë zëvendësuar nga pllaka material kuarcorë, pa ndryshuar çmimin për njësi”. Ndërsa në raportin e KLSH-së thuhet se “për ndryshimin e zërit të punimeve nga pllaka bituminoze në pllaka material kuarcorë, në dosjen e tenderit dhe mbikëqyrësit të punimeve nuk ka asnjë dokument teknik që të tregojë arsyet dhe shkakun e këtij ndryshimi”. Veç dokumenteve të dosjes së tenderit, prokuroria ka administruar si prova dhe procesverbalin e datës 12 janar të vitit 2005, i firmosur nga kryetari i bashkisë, Skënder Lleshi dhe projektuesit ing. Përparim Cani, por i pavulosur nga ana e bashkisë. Bashkia nga ana e saj është justifikuar se nuk ka pasur mundësi të gjejë në Shqipëri pllaka bituminoze, ndaj ka vendosur zëvendësimin e tyre me pllaka të përafërta me to. Deri tani prokuroria konfirmon faktin se pllakat e sheshit të Burrelit nuk janë blerë nga një firmë e licencuar, por nga një subjekt që prodhonte elementë betoni e gurë dekorativë.