Vrasja e biznesmenit, ngushtohet
FIER - Pak më shumë se 24 orë pas vrasjes së biznesmenit të miellit Mehmet Feleqi, burimet zyrtare të policisë Fier pohuan për gazetën “Korrieri”, se rrethi i hetimit sa po vjen dhe po ngushtohet. Feleqi, sipas këtyre burimeve nuk ka pasur kontradikta në fshatin e tij në Ngjeqar. Pas marrjes në pyetje të taksixhiut të fshatit Ushtar Stanit, ai është lënë i lirë në orët e vona të mbrëmjes së enjte, pasi ka rezultuar që nuk ka qenë i implikuar në vrasjen e tij. Dëshmi ka dhënë edhe bashkëshortja e tij, e cila punon rrobaqepëse në fshat. Ajo ka pohuar në polici se bashkëshorti i saj Ushtari, ka qenë në banesë qysh në orën 19 të mbrëmjes e nuk ka dalë më nga banesa, deri në mëngjes, kur policia ka shkuar dhe e ka shoqëruar për në ambientet e policisë. Burimet policore pohuan edhe faktin se tashmë më shumë dyshojnë për një vrasje të ndodhur për motive të dobëta.