Ankandi Rritet interesi i bonove të thesarit në 7.65%
30/06/2011 Interesat e Bonove kanë pësuar sërish rritje. Në ankandin e fundit, norma e ponderuar e interesit për Bonot me afat maturimi 12-mujor ishte 7.65%, nga 7.56% që ishte në ankandin paraardhës. Në ankand u emetuan Bono në vlerën e 11 miliardë lekëve dhe u pranuan 33 oferta financimi, nga 41 të paraqitura gjithsej. Rritje njohu edhe interesi i Bonove me afat maturimi 3-mujor, që në ankandin e djeshëm u emetuan me një normë interesi të ponderuar prej 5.74%, nga 5.47% që ishte në ankandin e mëparshëm. Në ankand u emetuan Bono me vlerë 4.1 miliardë lekë dhe megjithëse 85% e shumës u financua nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese, interesi për pjesën e mbetur sërish njohu rritje. Tendenca e rritjes së ofertës për financim të borxhit lidhet njëkohësisht me disa faktorë. Rritja e normës bazë të interesit nga BSH-ja në prill duket se ka pasur një efekt në tregjet financiare. Shpenzimet e larta të qeverisë shqiptare në gjysmën e parë të vitit kanë përkeqësuar treguesit fiskalë dhe kanë rritur deficitin buxhetor.