E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barnat për tumoret me rimbursim 100%

30/06/2011  Lista e rimbursimit për vitin 2011, ndarja e dozave të reja të barnave nis nga 1 korriku

Masa e rimbursimit të çmimit do të jetë e përshkallëzuar në varësi të sëmundjeve

Ndarja e re e barnave të rimbursimit për kategoritë përfituese do të nisë që nga data 1 korrik. Tashmë janë udhëzuar të gjithë mjekët e poliklinikave, veçanërisht ata të familjes, se duke filluar nga kjo datë do të përshkruajnë në recetat mjekësore dozat e reja të barnave që do jepen me rimbursim për vitin 2011. Prioritet në këtë rast do të kenë pacientët që vuajnë nga sëmundjet e rënda, veçanërisht ato tumorale, të cilat fatkeqësisht në vendin tonë janë shtuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Për këtë kategori bëhet me dije se skema do të mbulojë 100 për qind masën e rimbursimit të medikamentit. Por pacientët që vuajnë nga këto sëmundje duhet të dinë se për të marrë këto barna me rimbursimin maksimal pranë farmacive detyrimisht duhet të kenë marrë më parë te mjeku i tyre specialist recetën përkatëse të vulosur, në të kundërt duhet të paguajnë çmimin e medikamentit. Pak ditë më parë janë bërë zyrtare të dhënat e fundit në lidhje me shtimin e sëmundjeve tumorale në vendin tonë, të cilat, për fat të keq, po shfaqen në përmasa të frikshme. Vetëm pranë shërbimeve mjekësore të QSUT-së, brenda një viti për tumoret janë kryer më shumë se 16 mijë konsulta, ndërkohë që mbi një mijë pacientë u janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjike për shkak të rëndimit të gjendjes së tyre shëndetësore. Mjekët ngrenë alarmin se kjo situatë mund të jetë edhe më e rëndë, duke qenë se zbulimi i sëmundjes nga të prekurit bëhet në faza të rënduara për shkak të mungesës së simptomave të dukshme që në stadet e hershme

Ndarja sipas kategorive

Në këto kushte, edhe për vitin 2011 masa e rimbursimit të barnave do të vijojë të jetë e përshkallëzuar nga 50 deri në 100 për qind të medikamentit, kjo në varësi të kategorisë së përfituesve. Kategoria e pensionistëve, invalidëve, pacientëve me sëmundje të rënda, si kanceri apo tuberkulozi, do të marrin rimbushim në masën 100 për qind, të cilat klasifikohen dhe si kategoritë më të favorizuara nga skema e rimbursimit. Kusht në shpërndarjen e këtyre barnave do të jetë receta e mjekut, ku në mungesë të saj farmacistët do të refuzojnë dhënien e ilaçeve për pacientin. Mjekët pranë shërbimit të poliklinikave konfirmojnë se në listën e re për këtë vit janë shtuar një sërë barnash, të cilat do t’u vijnë në ndihmë maksimalisht edhe të sëmurëve kronikë. Në total lista e ndryshuar përfshin rreth 24 barna të reja dhe hyn në fuqi më datën 1 korrik. Nga ana tjetër, mjekët vetë shtojnë se kjo listë përfshin lloje nga më të ndryshmet të medikamenteve, duke listuar jo vetëm ato me çmime më të lira, por dhe ato që janë të kushtueshme e në shumë raste të pamundura për t’u përballuar nga pacientët. Sipas tyre, lista mbulon një variant shumë të mirë të preparatit, por që normalisht është varianti me çmimin më të lirë, çka do të thotë se, nëse pacientët duan të zgjedhin preparatin më të shtrenjtë, që në njëfarë mënyre konsiderohet si luks, mund të shtojnë sasinë përkatëse të lekëve për ta siguruar alternativën tjetër. Lista e këtij viti përmban rreth 420 lloje të ndryshme medikamentesh.

Ndryshimet

Barnat dhe kombinimet e reja që janë përfshirë në këtë listë për vitin 2011 janë kombinime barnash me përdorim kryesisht në nefrologji (anemia në pacientë me IRK) endokrinologji, pneumologji dhe kardiologji, okulistike, parazitologji, duke realizuar mundësi më të mira të mjekimit për sëmundjet respiratore, kardiake dhe ato të syve, diabetit etj. Sipas përllogaritjeve të bëra, kjo listë do të financohet nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe pritet të kapë shifrën 7.25 milionë lekë. Në këtë shumë përfshihet edhe rimbursimi i TVSH-së së barnave, që gjithashtu do të mbulohet nga ISKSH-ja.

Masa e rimbursimit sipas kategorive

Barnat e listës së rimbursimit do të jenë falas:

- Për të sëmurët me tumore, transplant të veshkës, tuberkuloz etj.

- Ata që vuajnë nga skleroza multiple, talasemia major (sëmundje për të cilat barnat janë tepër të shtrenjta).

- Për të gjithë fëmijët e moshës nga 0-12-muajsh.

- Për invalidët e plotë, pensionistët, të verbrit dhe jetimët.

- Barnat do të ofrohen falas edhe për veteranët me sëmundje kronike e invalidët e luftës.

- Krahas këtyre kategorive përfitues të barnave

të rimbusimit do të jenë edhe kategori të tjera pacientësh.

Por masa e përfitimit do të jetë sa gjysma e çmimit real të barnave. Për këto raste do të ofrohet rimbursim i pjesshëm për të gjitha kategoritë e tjera të popullsisë në përqindje të ndryshme, por jo më pak se 50% kundrejt recetës së lëshuar nga mjeku.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›