E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: “Opozita të mbajë në Parlament përgjegjësitë për integrimin”

Kryetari i LSI-së flet në mbledhjen e KDK-së së Lëvizjes Rinore. “2010-a do të njihet si viti i lëvizjes së lirë të të gjithë qytetarëve shqiptarë”
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh dje, gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Komitetit Drejtues të LRI-së, se është momenti që të gjithë të marrin përgjegjësitë që i takojnë për të kontribuar në procesin e integrimit të vendit në BE. Gjatë fjalës së tij Meta theksoi se viti 2010 do të jetë viti i lëvizjes së lirë për të gjithë shqiptarët. Ai theksoi se është koha për të dialoguar për sfidat gjithëpërfshirëse. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se sfidat kryesore që ka aktualisht vendi, si liberalizimi i vizave, pyetësori i BE-së dhe gjithë axhenda e integrimit europian, kërkojnë një dialog gjithëpërfshirës, ku natyrisht dhe LRI, si përfaqësuese e të rinjve shqiptarë, duhet të jetë pjesë e saj. Meta deklaroi se të gjithë aktorët politikë dhe socialë të shoqërisë duhet të bëhen pjesë e këtyre reformave integruese të vendit.
Deklarata
Duke e cilësuar situatën në të cilën ndodhet vendi një moment të rëndësishëm historik, Meta tha se është i nevojshëm kontributi i të gjithëve për të realizuar detyrimet ndaj vendit dhe së ardhmes. “Përjashtimi i kujtdo nga ky moment shumë i rëndësishëm, ku kërkohet kontributi i të gjithëve, është tregues i një përgjegjësie dhe detyrimi të parealizuar ndaj vendit, ndaj qytetarëve shqiptarë dhe ndaj të ardhmes së tyre nga cilido. Në radhë të parë realizimi i këtyre përgjegjësive bëhet në Parlament, bëhet përmes dialogut, dhe jo ultimatumeve, të cilat i takojnë së shkuarës. Realizimi i këtyre përgjegjësive bëhet në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë që kërkojnë avancimin e procesit të integrimit europian, sepse të gjithë e dimë që shqiptarët, pa dallim bindjesh politike, kanë një aspiratë të përbashkët ende të parealizuar plotësisht, që është integrimi i Shqipërisë në Europë, ashtu sikurse është edhe lëvizja e lirë drejt Europës”, - është shprehur Meta. Ai theksoi se LSI-ja është e gatshme për të kontribuar në këtë proces historik të vendit. “Ne, ashtu sikurse kemi bëtë deri tani, do të vazhdojmë të ofrojmë dhe t’u qëndrojmë atyre vlerave të rëndësishme dhe tepër të domosdoshme për europianizmin e mëtejshëm të vendit, politikës dhe të shoqërisë shqiptare, ashtu sikurse treguam se për herë të parë në historinë e pluralizmit politik bëmë një koalicion, i cili u bazua pikërisht mbi integrimin e prioriteteve tona qeverisëse, ashtu sikurse kemi treguar dhe po tregojmë çdo ditë se jemi forcë e re politike me një angazhim të përhershëm për të mbyllur hendekun dhe konfliktualitetin politik për të sjellë një etikë të re në diskursin politik në vend”, - është shprehur Meta.
Sfidat
Më tej, gjatë fjalës së tij, zëvendëskryeministri Meta theksoi se sfidat e qeverisjes kanë të bëjnë me realizmin e reformave që kërkon integrimi. Ai ftoi Lëvizjen Rinore të Lëvizjes Socialiste për Integrim që të iniciojë një debat me përfaqësues të qeverisë dhe me organizata të tjera rinore për çështjet që lidhen me reformat e rëndësishme të vendit. “Unë do të ftoja që LRI, sikurse edhe në të kaluarën, të vazhdojë të iniciojë debatin dhe dialogun edhe me përfaqësuesin e qeverisë dhe me gjithë organizatat e tjera rinore dhe studentore për përparimin e reformave në sistemin tonë të arsimit. Janë sfida që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe të vendit, si dhe me rritjen e punësimit në këto momente ku ju e shikoni që situata edhe globale nuk është dhe aq e favorshme, pavarësisht se Shqipëria ka treguar dhe tregon një qëndrueshmëri ekonomike të palëkundur. Janë sfidat që kanë të bëjnë me konsolidimin e demokracisë dhe institucioneve, sidomos pavarësisë së tyre, si një objektiv madhor i përhershëm i yni. Ndaj unë ju ftoj edhe sot, sikurse më parë, që të forcojmë Lëvizjen Rinore për Integrim sepse në këtë mënyrë kemi forcuar dhe LSI-në si një vlerë politike në Shqipëri, me një rol të provuar reformues, konstruktiv dhe europian”, - është shprehur Meta.

24 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›