E Shtunë, 31 Tetor 2026

Izolohet Gaddafi, sanksione të rënda nga Këshilli i Sigurimit

Këshilli i Sigurimit i Kombe ve të Bashkuara ka miratuar në mënyrë unanime sanksionet kundër udhëheqësit të Libisë, kolonel Gaddafi dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt. Kjo rezolutë erdhi si kundërpërgjigje ndaj përdorimit të forcës mbi demonstruesit civilë në Libi. Këshilli i Sigurimit pranoi të vendosë një embargo armësh ndaj Libisë, të ngrijë asetet e familjes Gaddafi, si edhe t'i referojë autoritetet libiane në Gjykatën Kriminale Ndërkombëtare. Anëtarët e Këshillit të Sigurimit ranë dakord për të ngrirë asetet e kolonelit Gaddafi dhe anëtarëve të familjes së tij, si edhe vendosën ndalimin e udhëtimit të pjesëtarëve të rrethit të tij të ngushtë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki-Moon, e mirëpriti atë që ai vlerësoi si vendim deciziv nga ana e Këshillit: "Teksi i rezolutës dërgon një mesazh të qartë se shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut nuk do të tolerohen dhe personat përgjegjës për krime të rënda do të japin llogari. Shpresoj që mesazhi të dëgjohet dhe të kihet parasysh nga regjimi në Libi," tha Ban ki-Moon. Në mënyrë të veçantë mesazhi ka si qëllim të inkurajojë dezertimin brenda radhëve të ndjekësve të kolonelit Gaddafi. Diplomatët europianë kanë negociuar intensivisht për të siguruar referimin te Gjykatat Ndërkombëtare për Krime. Disa e kanë parë këtë lëvizje të rrallë të KS-së si një kërcënim të sovranitetit kombëtar. Kjo është një nga armët më të forta të arsenalit të Këshillit, por nuk ka patur një oreks më madh për një mesazh më të fortë, si caktimi i një zone ndalim-fluturimi apo ndërhyrje direkte ushtarake, thotë një korrespondente e BBC-së në OKB. Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, tha se Britania i kishte hequr imunitetin diplomatik kolonelit Gaddafi dhe familjes së tij. Hague tha se ishte koha që udhëheqësi libian të largohej nga posti. Lideri i Libisë, kolonel Gaddafi, forcat e të cilit janë në kontroll të qendrës së kryeqytetit, ka premtuar t'i mundë ata që kundërshtojnë regjimin e tij. Një nga djemtë e kolonelit, Saif Al-Islam, pranoi se trupat e qeverisë kanë hasur probleme në dy qytete, Misratas dhe Zawiye. Televizioni shtetëror fajëson për trazirat al Kaedën, përdoruesit e drogës dhe influencën e keqe të medias ndërkombëtare. Ndërkohë udhëheqësit e protestave në Benghazi po mundohen të sjellin normalitet në qytet, duke organizuar furnizimin me ushqim dhe duke themeluar komitete të ndryshme për të qeverisur zonën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›