Ankandi i naftës, dëshmia: Prifti e anuloi 10 minuta para hapjes së ofertave
Shtatë dëshmitarë sqarojnë procedurat e ankandit të naftës bruto në kompaninë “Albpetrol”, i cili përmendet në videon Meta-Prifti. Rrëzohet dëshmia në gjykatë e ortakes së kompanisë Halilaj
Tiranë Shtatë nga tetë dëshmitarët e thirrur për të dëshmuar në procesin ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta sqaruan dje para Gjykatës së Lartë procedurat e ndjekura në dy çështjet për të cilat prokuroria ka ngritur akuzë. Zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë dhe Albpetrolit, si dhe ortakja e biznesmenit Bekim Halilaj, 28-vjeçarja Estela Çela, kanë qenë dëshmitarët e akuzës, të cilët kanë sqaruar episodet për të cilat janë pyetur nga prokurori Bujar Sheshi. Gjatë seancës së djeshme nuk kanë munguar as debatet e zakonshme mes avokatëve dhe drejtuesit të seancës, i cili ka paralajmëruar disa herë palët të mos pengojnë dëshmitë. Seanca e djeshme gati ezauroi episodin e ankandit të naftës bruto në kompaninë shtetërore “Albpetrol”, përsa u përket pjesës së dëshmitarëve. I pari në listën e dëshmitarëve të akuzës për seancën e djeshme ishte 28-vjeçarja Estela Çela, aksionere me 10 për qind në kompaninë “Halilaj”. Që në nisje të dëshmisë së Çelës, avokatët kundërshtuan vazhdimisht pyetjet e prokurorit, duke i cilësuar ato si sugjestionuese dhe me ndikim te dëshmitarja. Vajza, e cila kishte mbajtur edhe detyrën e administratores në kompaninë “Halilaj” deri në gusht të vitit 2010, tha se shoqëria e tyre nuk ka ushtruar aktivitet në Shqipëri gjatë viteve 2009-2010, pasi edhe pjesëmarrja në një ankand nafte ka qenë e pasuksesshme. Gjithashtu, dëshmitarja tha se kompania ku ajo është aksionere ka disa të punësuar, por numri i punonjësve është në varësi të volumit të punës që ka shoqëria, e cila operon kryesisht në import-eksportin e naftës. Ky moment është pasuar nga kërkesa e prokurorit për kundërshtimin e thënieve të dëshmitares, pasi gjatë marrjes në pyetje në prokurori Çela ka deklaruar se kompania në fjalë në fillim kishte pasur vetëm një punonjës dhe më pas kishin punësuar edhe një të ri grek si shofer. Kundërshtimi i thënieve u mor parasysh nga gjykata, e cila pranoi dëshminë që 28-vjeçarja ka dhënë në prokurori. Më pas, seanca vijoi me dëshminë e Majlinda Medulit, e cila mban detyrën e drejtoreshës juridike në kompaninë “Albpetrol”. Dëshmitarja tha se ka qenë pjesë e komisionit të ankandit për shitjen e naftës bruto, por ky ankand është anuluar me urdhër të ministrit Prifti, vetëm 10 minuta para hapjes së ofertave. Gjithashtu, dëshmitarja pohoi se kompania “Halilaj” nuk ka paraqitur ankesë pranë “Albpetrol” për anulimin e ankandit, ku ajo do të konkurronte së bashku me katër kompani të tjera, dy prej të cilave ishin të huaja. Po për çështjen e ankandit të naftës bruto, prokuroria kishte thirrur në cilësinë e dëshmitares edhe shtetasen Pranvera Bodinaku, presidenten e Sindikatës së Kimisë, Tregtisë dhe Turizmit. Dëshmitarja sqaroi se punonjësit e kompanisë Armo, 620 prej të cilëve aderojnë në këtë shoqatë, kanë bërë një ankesë lidhur me mungesën e lëndës së parë, pra naftën bruto në kompaninë ku ata punojnë. Nëpërmjet sindikatës ata kanë firmosur një ankesë, e cila i është përcjellë punëdhënësit, i cili më pas këtë ankesë do e adresonte te ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti. Ankesa në fjalë kishte si qëllim informimin e ministrit se 1500 punëtorë rrezikonin të mbeteshin pa punë nëse nuk siguronin naftë bruto nga kompania shtetërore “Albpetrol”. Pas kësaj dëshmie, Gjykata dëgjoi zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë, të cilët sqaruan procedurat e ndjekura për koncesionin e HEC-it të Shushicës në Elbasan, e cila është një nga akuzat e ngritura ndaj ish-zv.kryeministrit Ilir Meta.